Prej orës 11:00 të paradites, aksi i rrugës kombëtare Librazhd-Prrenjas është bllokuar totalisht, duke lënë qindra drejtues mjetesh të paralizuar për orë të tëra, ndërsa institucionet përgjegjëse vijojnë të mungojnë me zgjidhje konkrete.
Shkak për këtë situatë alarmante janë bërë rrëshqitjet masive të gurëve, me dhjetëra e qindra metra kub material shkëmbor, që kanë rënë mbi trasenë e rrugës në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”, një segment i njohur prej vitesh për rrezikshmërinë e tij, por i lënë pa masa parandaluese.
Masat e mëdha shkëmbore kanë pushtuar plotësisht rrugën, duke e bërë të pamundur qarkullimin dhe duke vënë seriozisht në rrezik jetën e qytetarëve. Megjithatë, asnjë ndërhyrje emergjente reale nuk është ndërmarrë, pavarësisht faktit se bëhet fjalë për një nga arteriet më të rëndësishme kombëtare që lidh Librazhdin me juglindjen e Shqipërisë.
Të gjithë qytetarët nëse zgjedhin të shkojnë në Korçë apo Pogradec i informojmë se rruga është totalisht e pakalueshme dhe u kërkohet që të evitojnë këtë aks deri në një moment të pacaktuar.
Në terren ndodhen forca të Policisë Rrugore, të cilat kufizohen vetëm në monitorim dhe menaxhim formal të trafikut, ndërsa institucionet përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore rezultojnë tërësisht të papërgatitura, pa mjete, pa plane ndërhyrjeje dhe pa përgjegjësi.
Situata rëndohet edhe më tej nga fakti se kompania që po kryen punimet për zgjerimin e rrugës Librazhd–Dragostunjë–Hotolisht, e konsideruar nga burime në terren si shkaktare direkte e rrëshqitjeve, nuk ka ndërhyrë në asnjë moment për pastrimin e rrugës, ndërsa institucionet mbikëqyrëse heshtin.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe mbajtje përgjegjësie, pasi përveç bllokimit total, ekziston rrezik real për aksidente të rënda, nëse rrëshqitjet vijojnë ose nëse situata lihet edhe më gjatë në mëshirë të fatit.

© SYRI.net