E moshuara Adriana Sali ka rrëfyer për Syri TV vështirësitë e saj. Ajo jeton në një banesë me qira pa ngrohje ndërsa për të mbijetuar e ndihmojnë me paketa ushqimore. Ajo shprehet se kërkon vetëm të kthehet në banesën e saj, por Bashkia Kolonjë ende nuk ka përfunduar riparimet pasi godina u deklarua e pabanueshme muaj më parë.
SYRI TV
Adriana Sali është një e moshuar e sëmurë që jeton në një apartament me qira në qytetin e Ersekës, për të cilin paguan 70 mijë lekë të vjetra në muaj. Banesa e saj u bë e papabanueshme ndërsa Bashkia Kolonjë mori vendimin për të kryer një investim për rikonstruksionin e saj. Megjithatë, edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë, punimet ende nuk kanë përfunduar.
Edhe pse jemi në stinën e dimrit, Adriana jeton në këto kushte pa asnjë sistem ngrohjeje. Gjendja e saj shëndetësore kërkon mjekime të vazhdueshme. Bashkëshorti i saj, megjithëse në moshë të thyer, detyrohet të punojë si bari për të siguruar sadopak shpenzimet familjare.E vetmja ndihmë që Adriana merr aktualisht janë paketa ushqimore, ndërsa për medikamentet ajo ndihmohet nga njerëz zemërmirë.
Sot, Adriana bën një apel të ndjerë që të rikthehet sa më parë në banesën e saj dhe të jetojë e qetë, pa ankthin e pagesës së qirasë, e cila sipas saj është e papërballueshme.
© SYRI.net