Këshilli i Lartë Gjyqësor mori një vendim të turpshëm sot, duke rrëzuar relacionin e dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme për çështjen e gjyqtares me pesë mbiemra, Irena Gjoka.
KLGJ e mori vendimin pa shumë debat, ndërkohë që mbylli menjëherë mbledhjen. Një nga anëtarët e KLGJ, Ridvan Hado tha se kjo çështje duhet të vendoset nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani.
Mendimit të tij iu bashkuan edhe katër anëtarë të tjerë të KLGJ, duke rrëzuar kështu relacionin me 5 vota. Katër anëtarët që ishin kundër nuk u lejuan që të flisnin.
Në këtë mënyrë KLGJ me shumicë votash nuk pranoi nisjen e procedurave për verifikimin e gjyqtares Irena Gjoka, pas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme se ajo nuk kishte deklaruar në formular një dënim në vitin 2005 në Greqi për falsifikim vize. Shumica e anëtarëve thonë se çështja duhet t'i kalojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Për rrjedhojë, nuk u ngrit komisioni që do të merrte në shqyrtim dokumentacionin dhe do të niste procesin e verifikimit. Kujtojmë se kreu i opozitës, Sali Berisha, e ka akuzuar disa herë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani si të lidhur me aferën e inceneratorëve.
Berisha është shprehur se ai vepron sipas urdhrave të Edi Ramës dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij.
Në këtë mënyrë, skandali i Irena Gjokës vazhdon të zvarritet, edhe pse faktet dhe dokumentet janë të qarta.
KLGJ nuk u mor në këtë mbledhje as me parashtrimet që ishin dërguar nga Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi. Irena Gjoka është përdorur si vegël nga Edi Rama kundër drejtuesve të opozitës.
Pavarësisht kësaj, ajo ka vazhduar të qëndrojë në sistem e mbrojtur fillimisht nga ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani dhe tanimë edhe nga KLGJ.
© SYRI.net