'Mjetet e tonazhit të rëndë po na rrezikojnë jetën' Banorët e fshatit Luz në protestë: Ndërhyni

10:01, 26/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Banorët e fshatit Luz në Fushë-Krujë, së bashku me disa biznese të zonës, kanë paralajmëruar një protestë qytetare për ditën e sotme në orën 10:30, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e rrugës që kalon përmes fshatit dhe lidh Luzin me autostradën dhe pjesën tjetër të vendit.

Sipas banorëve, ky segment rrugor është pjesë e Unazës së Madhe të qytetit të Fushë-Krujës, por prej vitesh është degraduar totalisht, duke u kthyer në një problem serioz për banorët dhe aktivitetin ekonomik të zonës.

Banorët shprehen se janë ankuar vazhdimisht për gjendjen e rrugës dhe se të gjitha institucionet përkatëse janë në dijeni të situatës. Sipas tyre, u është premtuar se në tetor rruga do të rikonstruktohej dhe do të kthehej në gjendje normale, por deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje.

Rruga përdoret çdo ditë nga mjetet e rënda, përfshirë kamionët e fabrikës së çimentos, gurorëve dhe transportit të mallrave, çka ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e saj dhe ka rritur rrezikun për banorët.

Një ndër shqetësimet më të mëdha lidhet me sigurinë e fëmijëve, pasi shkolla “Gjon Luka” ndodhet ngjitur me rrugën, ndërsa trotuaret janë të ngushta dhe të dëmtuara. Sipas banorëve, rreth 150 fëmijë zhvillojnë mësim çdo ditë pranë kësaj rruge, duke qenë të ekspozuar ndaj rrezikut nga qarkullimi i kamionëve me tonazh të lartë.

“Jemi rreth 1000 banorë që banojmë përgjatë kësaj rruge. Në verë detyrohemi të mbajmë dritare e dyer të mbyllura nga pluhuri, ndërsa në dimër na futet balta dhe çakulli në shtëpi. Ecim çdo ditë me frikë në trotuare për shkak të kamionëve,” shprehen banorët.

Ata kërkojnë rikonstruksionin total të rrugës dhe largimin e kamionëve të tonazhit të lartë, duke i bërë thirrje shtetit të marrë masa urgjente për sigurinë dhe jetesën e komunitetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco