Gjykata e Posaçme e Apelit ka pranuar ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) këtë të mërkurë, më 3 dhjetor, duke urdhëruar sekuestrimin e disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të shtetasit N.H dhe personit të lidhur, E.M.
Sipas njoftimit të bërë publik për mediat, SPAK kishte paraqitur ankimin për procedimin pasuror nr. 9/2025, që lidhet me hetimet e vazhduara për akuzën ndaj shtetasit N.H, i cili dyshohet për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, në bazë të neneve 245/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Pas shqyrtimit të çështjes, Apeli vendosi sekuestrimin e pasurive:
-Garazh nr. 6, kati -1, rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë
-Garazh nr. 7, kati -1, rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë
-Automjet “Audi A6”, prodhim 2005
-Apartament nr.19/1, shkalla 2, kati III, me sipërfaqe 87.89 m², rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë
-Apartament nr.21, shkalla 2, kati III, me sipërfaqe 61.89 m², rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë
Procedimi pasuror është ende në hetim. Personi me inicialet i N.H është përfshirë më herët në një dosje penale ku SPAK akuzoi 7 persona, mes tyre dy avokatë, për tentativë korrupsioni ndaj një gjyqtari të Apelit Korçë, me qëllim lehtësimin e dënimit për një të pandehur të akuzuar për ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit. Për këtë çështje, hetimet janë mbyllur dhe dosja është dërguar në gjykatë.
© SYRI.net