Me 230 km në orë dhe me 120 kg drogë në makinë/ Dënohet shqiptari, gjykatësja: Doje edhe rroba me figurën e Escobar-it

Me 230 km në orë dhe me 120 kg drogë në makinë/ Dënohet shqiptari, gjykatësja: Doje edhe rroba me figurën e Escobar-it

20:01, 02/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Michel Clementz, L’INDEPENDANT

Rrjetet sociale nganjëherë bëhen ndihmëse të mira të drejtësisë; të paktën “postimi” i trafikantit nuk bëri gjë tjetër veçse forcoi bindjen e gjyqtarëve, të cilët e konsiderojnë se ai ka kohë që është i zhytur në trafik.

Më 22 nëntor, Majk, një tridhjetëvjeçar shqiptar, u kap në Ur të Francës nga autoritetet; ai po transportonte rreth 120 kg kanabis drejt Italisë. Ndërsa makina e tij kishte një vend të fshehtë të përshtatur, pakot ishin thjesht të vendosura në pjesën e pasme të automjetit.

Para gjykatës korreksionale të Perpignan-it në Francë, ai thotë se kishte vepruar i detyruar, i shtyrë që të shlyente një borxh prej 30.000 euro të marrë nga njerëz pak të besueshëm. I hiqnin 1.000 euro nga borxhi për çdo udhëtim; ai kishte bërë “disa të tillë” tashmë. Huaja? Ishte për të ndërtuar shtëpinë e tij.

“Ju japin kështu 30.000 euro pa asnjë kontratë borxhi?”, çuditet kryetarja e gjykatës. “Besoj se në atë moment ju e dinit mirë se si do ta shlyenit faturën. Me 1.000 euro për udhëtim, s’keni për ta mbaruar shpejt!”

“Por unë mendoja se do ia dilja…”

“Ju duket se e pëlqeni punën: filmoni veten, me buzëqeshje, me 230 km/h me ‘valixhet marokene’ në sediljen e pasme, dhe i postoni në rrjetet sociale. Për dikë që thotë se është i terrorizuar nga trafikantët… Ah, dhe kërkoni edhe rroba me figurën e Pablo Escobar-it”.

“Që kur po merresh me trafik?”

“Më 12 nëntor”.

“Por telefoni juaj tregon një udhëtim më 20 tetor dhe 5 udhëtime të tjera përveç tij. Gjenden edhe biseda që tregojnë se merrni pjesë në organizimin e karvanëve”.

Në mbrojtje, avokati Bayekola argumenton se klienti i tij ka qenë viktimë e detyrimit, nga frika për sigurinë e tij dhe familjes së tij, nëse ai do refuzonte të vepronte si “mushkë”.

Por gjykata nuk e pranon këtë argument; ajo ndjek kërkesat e prokurorisë: 3 vite burgim të prerë, 5 vite ndalim të hyrjes në territor, konfiskimin e makinës dhe një gjobë doganore prej 238. 000 euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco