SYRI TV/ Kalimi i dosjes 'Veliaj' për gjykim në themel, GJKKO shtyn vendimin për në 5 dhjetor

15:47, 02/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga SYRI TV

Këtë të martë u zhvillua në GJKKO seanca paraprake për Erion Veliajn, teksa përsëri trupa gjykuese nuk arriti të marrë vendim për kalimin e dosjes në gjykim me themel. I pranishëm për herë të parë në seancë paraprake, ishte Erion Veliaj, i cili mbajti një fjalim para trupës gjykuese, duke u ankuar se ai nuk ishte njohur me aktet hetimore të dosjes. Për këtë arsye, Veliaj kërkoi njohje me aktet e dosjes, ndërsa GJKKO pranoi kërkesën e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, duke i dhënë pesë ditë kohë Erion Veliajt të njihet me 60 mijë faqe dokumente hetimore të prokurorëve të SPAK për 13 akuzat e ngritura ndaj tij.


Fakti që mua personalisht nuk më është vënë ende në dispozicion një kopje fizike e akteve, si dhe koha minimale për t’u njohur me një akuzë të ndërtuar mbi rreth 60 mijë faqe, flet qartë për fatin procedural që po i përgatitet këtij procesi. Një volum i tillë dokumentesh, që do të kishte sfiduar edhe gjykimet më të rënda të historisë moderne nga Nurembergu deri tek Tribunali i Tokios, po përdoret këtu jo për të zbardhur të vërtetën, por për të bërë praktikisht të pamundur ushtrimin e së drejtës sime kushtetuese për t’u mbrojtur, tha Veliaj.

Gjatë fjalës së tij para gjykatës, Erion Veliaj kërkoi gjithashtu që procesi gjyqësor ndaj tij të zhvillohet jo në kafaz metalik, duke e argumentuar se kjo e kategorizonte atë si “kriminel të rrezikshëm”.

Ky pozicionim fizik, i pazakontë për një vend që aspiron standarde evropiane, transmeton automatikisht një imazh kriminalizues, krijon idenë se jam një person “i rrezikshëm”, dhe ushqen, qoftë edhe pavetëdijshëm, paragjykime të brendshme brenda vetë trupës gjykuese. Dua të sjell në vëmendje një fakt të pakontestueshëm: para pak ditësh unë kam qenë i pranishëm në Gjykatën Kushtetuese, gjykatën më të lartë të vendit, dhe aty kam qenë i ulur, jo i mbyllur në kafaz.

Seanca e radhës pritet të mbahet në datën 5 dhjetor në orën 09:00, ku GJKKO me gjasë do të vendosë nëse do të kalojë dosjen në gjykim me themel ndaj Kryetarit të Bashkisë Tiranë, bashkëshortes së tij dhe disa biznesmenëve të marrë të pandehur.

Veliaj mbahet në qeli prej 11 shkurtit të këtij viti, pasi u arrestua nga SPAK për të paktën 13 vepra penale që janë ngritur zyrtarisht ndaj tij, duke përfshirë korrupsionin e zyrtarëve të lartë, pastrimin e parave etj. Vetëm pak javë më parë, Erion Veliaj u konfirmua në detyrë nga Gjykata Kushtetuese, pasi u shkarkua nga detyra si kryetar i Bashkisë së Tiranës me firmën e Edi Ramës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco