Një sasi e konsiderueshme bizhuterish floriri dhe një orë luksoze, me vlerë rreth 50 mijë euro, janë zbuluar në një automjet që po hynte në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës.
Kontrolli i detajuar i Policisë Kufitare çoi në ndalimin e një 33-vjeçari me banim në Gjermani, i cili dyshohet se tentoi t’i fuste sendet me vlerë pa i deklaruar.
Mjeti dhe bizhuteritë u sekuestruan ndërsa drejtuesi i automjetit u arrestua dhe materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme.
Kukës
Goditet një rast i tentativës për të kontrabanduar sende me vlerë.
Sekuestrohen bizhuteri floriri dhe ora dore, me vlerë rreth 50 000 euro, dhe një automjet.
Vihet në pranga drejtuesi i automjetit.
Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip "Audi”, me drejtues shtetasin Q. S..
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën bizhuteri floriri dhe ora dore, të cilat ai nuk i kishte deklaruar sipas ligjit. Bizhuteritë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin Q. S., 33 vjeç, banues në Gjermani, për veprat penale "Kontrabanda më mallra të tjera" dhe “Mosdeklarimi në kufi, i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net