Nga Tony Chalet, DH NET
Këtë të mërkurë nis gjyqi ndaj një organizate kriminale, anëtarët e dyshuar të së cilës kishin qartësisht “dorë të gjelbër” midis viteve 2018 dhe 2022.
M.B., menaxheri i një kopshtarie, disa punonjës dhe disa kultivues kanabisi do të duhet të japin shpjegime për rreth 370 bimë kanabisi të zbuluara në vitin 2022 në Leuven dhe Linkebeek të Belgjikës.
Nga dyqani – i cili në atë kohë kishte bazën në Bruksel dhe është mbyllur prej atëherë – M.B. dhe punonjësit e tij dyshohen se kanë furnizuar me vetëdije materialin, dhe sidomos këshillat, për të nisur plantacione kanabisi.
Prokuroria ka sekuestruar ndërkohë stokun e kopshtarisë në fund të hetimit: tenda për kultivim të brendshëm, llamba UV, plehra… i gjithë ky material është natyrisht i ligjshëm dhe shitet lirshëm, por autoritetet vlerësuan se të dyshuarit nuk mund të mos e dinin për çfarë do të përdorej.
Si rrjedhojë, shumica e të akuzuarve dyshohet se kanë luajtur rolin e “lehtësuesit” në kryerjen e veprës penale. Madje dyshohet se dyqani ka synuar një publik të caktuar përmes reklamave të përkthyera në shqip!
Autoritetet gjyqësore kanë konstatuar se rrjetet kriminale shqipfolëse janë specializuar në prodhimin e kanabisit në Belgjikë vitet e fundit. Këto reklama, të shpërndara gjithashtu në frëngjisht, gjuhën flamande dhe anglisht, zgjuan dyshimet e hetuesve.
Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji. Në vitin 2017, dyqanet e hortikulturës të zinxhirit “Terra Terra”, që ndodheshin në Ixelles, Genval, Jambes dhe Marcinelle, u vulosën sepse kishin ofruar ndihmë për kultivues amatorë dhe rrjete kriminale aktive në kultivimin e kanabisit.
Në qershor të vitit 2021, drejtuesit e këtij zinxhiri, baba e bir, dhe punonjësit e tyre u dënuan nga gjykata e Shkallës së Parë në Namur me dënime deri në 4 vjet burg me kusht për pronarët dhe dënime me punë për punonjësit.
Megjithatë, ata përfituan nga mëshira e Gjykatës së Apelit në Liège në janar 2023. Drejtuesit arritën të merrnin pezullim të shqiptimit të dënimit, pra vetëm një deklarim fajësie, ndërkohë që prokuroria federale kishte kërkuar deri në dhjetë vjet burg. Gjykata e Apelit në Liège urdhëroi gjithashtu konfiskimin e gati 1.7 milionë eurove përveç gjobave penale që arrinin në dhjetëra mijëra euro.
© SYRI.net