Pika kufitare e Kakavijës vijon të jetë e mbyllur për shkak të protestës së fermerëve grekë, që ka nisur prej ditës së djeshme, nga ora 16:00 deri në orën 21:00 (me orën greke).
Raportohet se këtë të hënë protesta e fermerëve grekë po bëhet në Kallpaq, ku kryqëzohen rrugët e dy pikave të kalimit Kufitar Kakavijë e Tre Ura.
Fermerët kërkojnë nga qeveria e Greqisë fonde, teksa theksojnë se fondet e Bashkimit Europian që duhej tu jepeshin janë shpërdoruar.
Ata kanë paralajmëruar se nëse s’do të ketë bisedime do të ketë bllokime në të gjithë territorin grek, raportojnë mediat e huaja.
Njoftimi i plotë:
Kakavijë
Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 16:00 deri në orën 21:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.
Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.
Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.
© SYRI.net