Detajet/ Ekzekutimi mafioz i Mondi Mëhallës në Elbasan, 10 persona të shoqëruar, do pyeten...

Detajet/ Ekzekutimi mafioz i Mondi Mëhallës në Elbasan, 10 persona të shoqëruar, do pyeten...

09:17, 01/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Elbasani u trondit mbrëmjen e së dielës, (30 nentor)   nga një atentat me armë zjarri, ku një biznesmen 43-vjeçar u ekzekutua brenda automjetit të tij të parkuar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku u gjet i vrarë shtetasi Mondi Mehalla, alias Edmond Hyka.

Sipas të dhënave paraprake, Mehalla sapo kishte dalë nga zyra e tij, në godinën ku ndodhen bizneset dhe banesa e nënës së tij. Në momentin që u fut në automjet, ai u qëllua me armë zjarri, duke marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, që shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Dinamika e ngjarjes është vlerësuar nga ekspertët si një ekzekutim tipik mafioz, megjithatë nuk përjashtohet mundësia e një konflikti të mëparshëm, ndodhur gjatë javës së fundit, për motive ende të paqarta.

Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë mbërritën në vendngjarje dhe ngritën pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit. Kontrollet intensive në terren, në banesa, ambiente të ndryshme dhe rrugë dytësore vazhdojnë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Lexo dhe: Dyshime se autorët e vrasjes në Elbasan mund të largohen drejt Greqisë, ‘blindohet’ juglindja

Burime policore bëjnë me dije se automjeti i përdorur nga atentatorët dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili u largua me shpejtësi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd.

Deri tani, të paktën 10 persona janë shoqëruar dhe po merren në pyetje për të ndriçuar rrethanat e krimit. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht për shqyrtimin e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave materiale.

Hetimet vijojnë në disa pista paralelisht, ndërsa operacioni policor në terren mbetet në zhvillim. Autorët e atentatit mbeten ende të paidentifikuar.

Sipas të dhënave zyrtare, 43-vjeçari kishte precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Mësohet gjithashtu se ai kishte qenë i përfshirë në një konflikt disa ditë përpara vrasjes, pistë kjo që po merret seriozisht parasysh nga grupi hetimor si e mundshme lidhur me motivin e atentatit.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco