Trafikoi 1.2 tonë kokainë nga Ekuadori deri në Rusi, prangoset në Athinë shqiptari që drejtonte kartelin

Trafikoi 1.2 tonë kokainë nga Ekuadori deri në Rusi, prangoset në Athinë shqiptari që drejtonte kartelin

19:05, 28/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një 39-vjeçar shqiptar, i konsideruar si drejtues i një rrjeti shumëkombësh të trafikut të kokainës, u arrestua sot në Athinë nga policia greke. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet belge dhe ndaj tij ishte lëshuar një Njoftim i Kuq i Interpolit, lidhur me trafikun e sasive gjigante të drogës nga Amerika e Jugut drejt Evropës e deri në territorin rus.

Shqiptari, me inicialet H.O., akuzohet si ‘koka’ e organizatës kriminale, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende publik identitetin e plotë.

Hetimi që nisi në Belgjikë dhe u shndërrua në thriller ndërkombëtar

Dosja e Belgjikës, që filloi si një hetim i zakonshëm për trafik droge, u zgjerua shpejt në një operacion të ndërlikuar që përfshinte:

kontejnerë të nisur nga Ekuadori,

rrugë të trafikut që kalonin nga porti i Antverpit,

magazina të përdorura si ‘shtëpi të sigurta’,

dhe komunikime të përgjuara që ekspozuan strukturën e rrjetit.

Sipas autoriteteve belge, organizata dyshohet se trafikonte sasi që tejkalonin 1.200 kilogramë kokainë, me destinacione që shkonin deri në Federatën Ruse. Në një bisedë telefonike të interceptuar më 20 qershor, përmendet se ‘kanë mbërritur më shumë se 3500 copa’, çka besohet t’i referohet kilogramëve të kokainës.

Hetimi evidenton lëvizjet e 39-vjeçarit mes Belgjikës, Spanjës, Greqisë dhe Shqipërisë, si dhe aktivitetet e koordinuara për marrjen, çmontimin dhe zhvendosjen e kontejnerëve të ngarkuar me drogë.

Autoritetet e cilësuan arrestimin në Athinë si një nga më të rëndësishmit e viteve të fundit, pasi çështja lidh në një të vetme rrjete nga Ekuadori, Belgjika, Spanja, Greqia, Shqipëria dhe Rusia – një mekanizëm global që funksiononte me logjistikë ndërkontinentale.

Deklarata zyrtare e policisë greke

‘Një shtetas i huaj 39-vjeçar u arrestua më 19.11.2025 nga oficerët e Nën-Drejtorisë së Narkotikëve. Ndaj tij ishte lëshuar një Urdhër Arresti Evropian nga autoritetet belge për përfshirje në një organizatë kriminale me bazë në Belgjikë, e cila dyshohet se importon sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut në Evropë dhe merret me kultivimin e kanabisit si dhe krijimin e impianteve të përpunimit të drogës jashtë vendit.

Arrestimi lidhet me sekuestrimin e një kontejneri në portin e Antverpit në shtator 2024, i cili përmbante 500 kg kokainë. I arrestuari u dërgua në Prokurorinë kompetente dhe hetimet vazhdojnë.’

Avokati i të arrestuarit: ‘Rast ndër më kompleksët në Evropë’

Mbrojtjen e shqiptarit e ka marrë përsipër avokati i njohur grek Sakis Kechagioglou, i cili deklaroi se kemi të bëjmë me:

‘Një nga rastet më komplekse të trafikut ndërkombëtar të kokainës të viteve të fundit. Ngarkesa prej 1.200 kg ndoqi një rrugë transnacionale nga Ekuadori drejt porteve evropiane, përfshirë Antverpin, Greqinë dhe Shqipërinë, me degëzime deri në Rusi.’

Ai theksoi se qëllimi i mbrojtjes është sigurimi që çështja të gjykohet në Belgjikë, jo në Greqi apo Rusi, për shkak të diferencës së madhe të dënimeve.

‘Zgjedhja e juridiksionit është mjeti kryesor që do të përcaktojë fatin penal të klientit tim,’ – deklaroi avokati.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco