EMRAT - Zbardhet skema korruptive në AZHBR-në  e Korçës/ Si u merrnin inspektorët nga 500 mijë lekë fermerëve për t’i...

EMRAT - Zbardhet skema korruptive në AZHBR-në e Korçës/ Si u merrnin inspektorët nga 500 mijë lekë fermerëve për t’i...

12:01, 28/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Policia e Korçës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, ka finalizuar operacionin hetimor që ka çuar në zbulimin e një skeme abuzive të shkeljes së detyrës nga disa punonjës të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

Gjatë hetimeve u dokumentua se disa prej inspektorëve të kësaj agjencie dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke falsifikuar të dhëna në aktet e verifikimit për fermerët përfitues të Skemës Kombëtare të Mbështetjes.

Sipas informacioneve, punonjësit nuk kryenin kontrollin në terren për gjendjen faktike të kafshëve, ndërsa dyshohet se kanë përfituar në mënyrë korruptive shuma që varionin nga 10 deri në 50 mijë lekë (të reja) për çdo aplikim, me qëllim kualifikimin e padrejtë të fermerëve për subvencione.

Në njoftimin zyrtar, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë bën me dije se ka caktuar masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 9 shtetasit e përfshirë, konkretisht Andrea Miha, Julian Zgura, Entela Gjata, Ermal Ibri, Dritan Çela, Përparim Rustemi, Bruno Berberi, Endrit Ferati dhe Fatos Ibi.

Sipas të dhënave të deritanishme, veprimtaria e tyre kriminale ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik në buxhetin e shtetit. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një periudhe hetimi prej 18-muajsh, operacioni policor i koduar "Green Code".

Pasqyronin të dhëna të rreme në aktet e verifikimit gjatë kontrollit në fermat e përfituesve nga skema kombëtare e mbështetjes për fermerët, pezullohen nga detyra 2 inspektorë të AZHBR-së dhe 6 veterinerë të DBP-së.

Shpallet në kërkim 1 inspektor i AZHBR-së.

Specialistët për Hetimin e Krimeve, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, pas një hetimi 18-mujor të kryer me metoda speciale të hetimit, finalizuan operacionin policor të koduar "Green Code", si rezultat i të cilit:

u pezulluan nga detyra, për veprat penale "Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim", shtetasit A. M., 33 vjeç dhe J. Z., 36 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektorë në AZHBR;
D. Ç., 57 vjeç, dhe F. I., 54 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë veterinerë pranë Drejtorisë së Bujqësisë Pogradec.

për veprën penale "Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim", ndaj shtetasve E. Gj., 56 vjeçe, banuese në Pogradec, me detyrë veterinere kontrolli, dhe P. R., 66 vjeç, B. B., 28 vjeç, dhe E. F., 33 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë veterinerë shërbimi pranë Drejtorisë së Bujqësisë Pogradec.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. B., 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor i AZHBR-së, për veprat penale "Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Falsifikimi i dokumentave".

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke pasqyruar të dhëna të rreme në aktet e verifikimit dhe të kontrollit në fermat përfituese nga skema kombëtare e mbështetjes për fermerët. Punonjësit e AZHBR-së nuk kryenin kontrolle dhe verifikime në terren për gjendjen faktike të kafshëve, duke përfituar në mënyrë korruptive shuma parash nga 10 000 – 50 000 lekë, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit.

Vijon puna për vënien përpara përgjegjësisë të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Korçës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco