Alba Kepi - Syri.net
Një operacion ndërkombëtar i përmasave të mëdha, i koordinuar nga Prokuroria Distrektale e Republikës së Brescias, ka çuar në shkatërrimin e një grupi kriminal narkotrafikantësh, drejtuar nga shtetas shqiptarë, e specializuar në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Në total, janë ekzekutuar 24 masa arresti, të zbatuara njëkohësisht në Itali, Shqipëri, Francë dhe Angli, të cilat kanë goditur strukturën drejtuese dhe operative të rrjetit. Një pjesë e konsiderueshme e të arrestuarve janë identifikuar si organizatorë, koordinatorë dhe korrierë shqiptarë, të cilët luanin rol kyç në furnizimin, transportimin dhe shpërndarjen e drogës.
Sasia kolosale e drogës: 1.300 kilogramë kokainë e importuar në Evropë
Sipas dokumenteve hetimore, ky grupim ka trafikuar në mënyrë të vazhdueshme mbi 1.300 kg kokainë. Droga merrej nga Amerika e Jugut dhe transportohej në Evropë përmes linjave detare tregtare drejt porteve kryesore të Evropës së Veriut.
Më pas, kokaina nisej drejt Italisë e fshehur në kamionë të tonazhit të rëndë, duke përdorur rrugë të sofistikuara logjistike që shmangnin kontrollet e zakonshme.
Trafiku drejtohej në Shqipëri, e nga Italia kryhej shpërndarja
Hetimi pesëvjeçar (2020–2025), i mbështetur nga SPAK-u, Eurojust, Europol, dhe autoritetet zvicerane, ka dokumentuar se drejtuesit kryesorë të grupit vepronin nga territori shqiptar, ku planifikonin furnizimet dhe shpërndarjet.
Në Itali, grupi kishte ngritur 6 baza logjistike ku droga ruhej, paketohej dhe shpërndahej në zona të ndryshme të vendit.
Këto magazina drejtoheshin nga persona të rekrutuar nga rrjeti, ndërsa rolin e shpërndarjes dhe mbledhjes së parave e kishin anëtarë të tjerë të organizatës, shumë prej të cilëve shtetas shqiptarë të stabilizuar në Itali.
3 milionë euro të sekuestruara, paratë qarkullonin me “money mules” shqiptarë
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu sekuestrimin parandalues të pasurive me vlerë rreth 3 milionë euro, të cilat konsiderohen si përfitime direkte nga trafiku i drogës.
Hetimet tregojnë se shumat e mëdha të parave dërgoheshin te drejtuesit e organizatës me anë të “money mules”, ku përdoreshin edhe shoferë shqiptarë që operonin në linjën Itali–Shqipëri, të gatshëm të transportonin sasi të mëdha cash-i.
Gjatë fazave paraprake të operacionit, autoritetet kishin arrestuar tashmë 10 persona, si dhe kishin sekuestruar 130 kg drogë (kokainë dhe heroinë), 550.000 euro në para të gatshme, 10 automjete të përdorura për transport, 1 armë zjarri.
Kjo sasi e drogës, po të hidhej në treg, do të gjeneronte rreth 12 milionë euro fitime.
Operacionet në terren: 35 kontrolle dhe përdorimi i teknologjisë së avancuar
Aktualisht janë duke u kryer mbi 35 kontrolle në të gjithë territorin italian, me mbështetjen e njësive territoriale të Gardës së Financës, S.C.I.C.O.-s, njësive antinarkotik, qenve nuhatës dhe forcave të specializuara A.T.P.I.
Hetimi është mbështetur në teknika të avancuara:
-zhbllokim i komunikimeve të enkriptuara,
-përgjime telefonike e telematike,
-ndjekje fizike dhe survejim afatgjatë,
-analiza të trafikut ndërkombëtar.
© SYRI.net