Nga Elton Qyno – Syri.net/
Ajo që po ndodh sot në një operacion të përbashkët hetimor mes prokurorisë së Breshias dhe prokurorisë së Posaçme SPAK, mbështetet në hetimet mbi komunikimet në aplikacionin “Sky” dhe rastet e dokumentimit të disa episodeve të trafikut të drogës në territorin Italian.
Suksesi i këtij hetimi është totalisht i prokurorisë së Breshias që ka ndjekur rastin për disa vite me radhë. Ndërsa SPAK sot ka ekzekutuar ato pak masa sigurimi “arrest në burg” që u kanë sjellë italianët në dorë.
SPAK, ka ndihmuar italianët për pasurimin e dosjes së tyre me informacione për shqiptarët e përfshirë në aktivitet kriminal, por ajo që tashmë dihet është fakti i përsëritur që italianët janë udhërrëfyesit e këtij hetimi.
Më qëllim zhvillimin e këtij operacioni policor të kryer me autoritet Italiane, një muaj më parë në ambientet e SPAK, kreu i këtij institucioni, Altin Dumani, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Fill pas këtij takimi, mësohet se në SPAK ka mërritur dhe një grup hetuesish nga prokuroria e Breshias, me qëllim koordinimin e këtij operacioni.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se pjesa më e madhe e shqiptarëve të ndaluar janë në Itali. Ndërsa në Shqipëri, kanë mbërritur për ekzekutim vetëm 4 masa sigurimi “arrest me burg”.
Gjatë ditës së sotme Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ekzekutoi masën e sigurisë për oficerin e antiterorit, Igli Haxhiaj, i cili mësohet se akuzohet për “nxjerje të sekretit hetimor”, “shpërdorim detyre” dhe korrupsion.
Ndërsa tre masat e tjera mësohet se janë ekzekutuar nga policia kriminale e Policisë së Shtetit. Pjesa tjetër është ekzekutuar nga policia Italiane, ku në disa zona janë kryer kontrolle banesash duke çuar në sekuestrimin e gati 500 mijë euro cash.
Siç ndodh në të tilla raste, tashmë pritet që SPAK dhe prokuroria e Breshias të dalin në një konferencë të përbashkët, për të shpalosur suksesin.
© SYRI.net