Një 34-vjeçar nga Kamza është arrestuar pasditen e djeshme në fshatin Kasallë, pasi në automjetin e tij u gjet një armë zjarri e mbajtur pa leje. Sipas burimeve, shërbimet e Komisariatit Nr. 5 po kryenin kontrolle të vazhdueshme në zonë, të mbështetura edhe nga informacionet se një person lëvizte i armatosur.
Gjatë ndalimit të një makine tip Volkswagen, policia gjeti një pistoletë me krehër dhe fishekë, të cilën dyshohet se 34-vjeçari O. Z. e mbante pa autorizimin përkatës. Pas sekuestrimit të armës, ai u shoqërua dhe u arrestua në flagrancë.
Dosja i është kaluar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
© SYRI.net