Muharrem dhe Mirushe Bitroshi, një çift i moshuar, u kthyen në banesën e tyre pas tre ditësh në spital, ku kishin qenë në gjendje të rëndë, pas helmimit dhe grabitjes nga dhëndri i tyre. Muharremi, 82 vjeç, vazhdon të jetë në gjendje të paqëndrueshme pasi është i paralizuar.
Sipas deklaratës së Mirushes për Syri TV, dhëndri kishte hedhur Valium në limonatën e tyre, duke qenë në dijeni se çifti sapo kishte marrë pensionin.
Vajza e tyre tregon se është njoftuar për gjendjen kritike të prindërve dhe u nis menjëherë drejt spitalit të Librazhdit. Për shkak të gjendjes shumë të rënduar, ata u transferuan në një spital në Tiranë.
Ajo e përshkruan ngjarjen si një fatkeqësi që mund të kishte pasoja edhe për fëmijët e vegjël të së motrës së saj, babai i të cilëve ndodhet në burg.
Bashkëshortja e dhëndrit dhe vajza e çiftit të moshuar shprehen se nuk kishin vënë re shenja paralajmëruese, edhe pse bashkëshorti shpesh ishte i vrazhdë në sjellje.
© SYRI.net