Përmbytjet/ Banorët e Novoselës zbulojnë dëmet e Vjosës dhe premtimet e pambajtura

11:48, 24/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Situata në zonën e Novoselës paraqitet më e qetë pas disa ditësh tensioni të shkaktuar nga vërshimi i lumit Vjosë. Uji është tërhequr në pjesën më të madhe të territorit, por pas ka lënë dëme të konsiderueshme, veçanërisht në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, si dhe ankthin tek banorët, të cilët ende nuk kanë marrë dëmshpërblime për përmbytjet e kaluara.

Sipas raportimeve të gazetarit të Syri tv nga terreni, dëmi më i madh është regjistruar në tokat bujqësore, ku uji që nuk është larguar ende ka dëmtuar të mbjellat, si dhe në blegtori. Shumë banorë, të mësuar nga eksperiencat e hidhura të së shkuarës, kishin marrë masa paraprake duke evakuuar bagëtitë dhe larguar orenditë nga katet e para të banesave.

Gjithsej 14 banesa u vunë nën pushtetin e ujit, 3 prej të cilave në zonën e Urës së Mifolit dhe 11 në njësinë administrative Novoselë. Grupet e emergjencave civile kanë nisur inspektimet në terren për të bërë një vlerësim të plotë të dëmeve të shkaktuara, me premtimin për dëmshpërblim. Megjithatë, ky premtim pritet me skepticizëm nga banorët, të cilët shprehen se ende nuk kanë marrë asnjë kompensim për dëmet e pësuara në vitet e shkuara.

Kujtojmë se rreziku arriti kulmin kur niveli i lumit Vjosë preku kuotën 8.3 metra, duke qëndruar në nivele të larta për 48 orë dhe duke kërcënuar me një përmbytje masive. Rënia e nivelit të ujit në ditën e pestë solli një lehtësim të përkohshëm, por rreziku nuk është larguar plotësisht. Parashikimet për reshje të reja shiu dhe prurjet nga Greqia, të cilat mbërrijnë me një vonesë prej tetë orësh, e mbajnë situatën nën monitorim të vazhdueshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco