Daniel Pepa, i dyshuari kryesor për vrasjen e kamarierit në Manëz, është dorëzuar sot në Policinë e Durrësit. Burime zyrtare bëjnë me dije se dorëzimi i tij është kryer rreth orës 13:00.
Pepa ishte shpallur në kërkim pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Manëz, ku humbi jetën një kamarier. Policia ka marrë në dorëzim të dyshuarin dhe vijon me procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Krimin Kundër Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan shtetasin D. P., 21 vjeç, banues në fshatin Manëz, Njësia Manëz, Durrës.
Arrestimi i tij u krye në zbatim të urdhrit të datës 14.11.2025, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për ekzekutimin e vendimit penal nr. 622/1, datë 13.11.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” ndaj këtij shtetasi, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Këto veprime lidhen me ngjarjen e ndodhur më datë 22.10.2025, ku janë vrarë shtetasit F. P. dhe A. K., në Manëz, Durrës, ngjarje në të cilën ky shtetas rezulton i implikuar, i dyshuar si autor.
Gjatë veprimeve procedurale, këtij shtetasi i është sekuestruar një armë zjarri.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
© SYRI.net