Një 40-vjeçar shqiptar u arrestua më 11 nëntor, pasi në automjetin e tij në Béziers u zbuluan dhjetëra kilogramë kokainë. Ai u paraqit këtë të hënë, 17 nëntor, para gjykatës.
Doganierët bënë një zbulim të rëndësishëm më 11 nëntor në Béziers. Ndërsa po kryenin disa kontrolle pranë pikës së pagesës së autostradës A9, ata ndaluan një automjet me targa gjermane.
Me sa duket, kjo ndalesë rezultoi e suksesshme, sepse brenda furgonit, doganierët gjetën 38,5 kg kokainë. Në timon ishte një 40-vjeçar shqiptar, i cili mohoi çdo përfshirje në trafik droge dhe deklaroi se duhej ta kthente mjetin në Shtutgart, pas nisjes nga Barcelona.
Kryetari i gjykatës: Në fakt, nuk dimë asgjë për ju
Të hënën, 17 nëntor, i pandehuri u paraqit para gjykatës së Béziers në një procedurë të gjykimit të menjëhershëm. I ndihmuar nga një përkthyese, ai kërkoi shtyrje të seancës për t’u përgatitur për mbrojtjen, siç e lejon ligji.
‘Unë jetoj në Angli, dhe duhej ta ktheja automjetin në Gjermani’, shpjegoi në gjykatë. I pyetur nga kryetari i trupit gjykues për të ardhurat aktuale, ai u përgjigj: ‘Nuk kam, ndaj jam borxhlinj ndaj familjes dhe miqve të mi’.
Pas verifikimit të një dosjeje penale të pastër, gjyqtari e pyeti sërish për situatën e tij personale. ‘Nuk kam fëmijë dhe jam beqar’, tha ai me një zë të lartë, në shqip. ‘Pa para, pa fëmijë… në fakt nuk dimë asgjë për ju’, iu përgjigj gjyqtari.
Qëndron në paraburgim
Nëse shtyrja e procesit ishte pothuajse e sigurt, edhe vendimi për ta mbajtur në paraburgim u mor nga gjykata, në përputhje me kërkesën e përfaqësueses së Prokurorisë. ‘Për të shmangur çdo marrëveshje me bashkëpunëtorët e tij dhe për të siguruar paraqitjen e tij në gjyq, meqë nuk banon në Francë’, shpjegoi prokurorja.
Avokati, z. Dylan Hérail, hodhi idenë e strategjisë mbrojtëse të klientit të tij. ‘Ai nuk është protagonisti i trafikut, është kurthuar në këtë histori. I është kërkuar të drejtojë këtë automjet drejt Gjermanisë dhe vetëm gjatë rrugës iu tha se kishte diçka në makinën e tij, pa ditur çfarë ishte’, argumentoi ai.
Seanca u shty për në dhjetor, pak para Krishtlindjeve.
© SYRI.net