Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin prej orëve të para të ditës kanë shkaktuar probleme në disa zona, ku po ndërhyjnë strukturat e emergjencave civile nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Evakuime në Thumanë dhe Zejmen
Në fshatin Dukagjin i Ri, njësia administrative Thumanë, Forcat e Armatosura kanë evakuuar një familje prej pesë anëtarësh për shkak të futjes së ujit në banesë.
Në njësinë administrative Zejmen, vërshimi i përrenjve të Prullit dhe Pllanës ka sjellë prezencë uji në katër banesa. Familjet janë strehuar përkohësisht nga strukturat vendore, ndërsa ekipet e emergjencave kanë kryer tërheqjen e ujit dhe pastrimin fillestar.
Situata sipas qarqeve
Qarku Durrës
Në njësitë Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm vijon puna për normalizimin e situatës.
Nivelet e ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm janë brenda normave.
Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallaj po punojnë me kapacitet të plotë.
Qarku Dibër
Situata paraqitet e qetë, me përjashtim të mungesave të energjisë në Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht në Arras e Fushë Çidhën. OSHEE po punon për riparimin e defekteve.
Qarku Lezhë
Në Bashkinë Kurbin vijon puna në Mamurras, Gjorëm, Zhejë dhe Fushë Mamurras.
Rruga e fshatit Shpërdhe është dëmtuar nga përmbytjet e lumit Droje, ndërsa segmenti Skuraj–Gallatë–Vinjollë mbetet i bllokuar për shkak të prishjes së urës mbi lumin Vinjollë.
Nivelet e lumenjve Drin dhe Mat janë normale.
Qarku Kukës
Ka pasur rënie inertesh në disa akse rrugore. Kompanitë kontraktore janë angazhuar në pastrimin e tyre.
Segmenti Vranisht–Fajza (Has) është dëmtuar nga reshjet.
Qarku Shkodër
FA dhe punonjës bashkiakë po pastrojnë inertet në segmentin Gimaj–Bregu i Lumit (Shalë).
Ndërkohë segmenti Ndërlysë–Breg Lumi mbetet i bllokuar dhe po punohet për hapjen e tij.
Qarku Elbasan
Nuk raportohen probleme të theksuara, përveç rënies së inerteve në segmentet Elbasan–Librazhd dhe Elbasan–Rrogozhinë, ku po ndërhyhet nga ekipet e mirëmbajtjes.
Situata energjetike
Ekipet e OSHEE vijojnë rikthimin e energjisë në:
• disa fshatra të Rubikut (Mirditë),
• Torocish, Kukës, Berishë dhe Lekbibaj (Tropojë),
• Kurvelesh, Zagori, Luftinjë dhe Dropull i Poshtëm (Gjirokastër),
• disa njësi të Qarkut Korçë.
Në qarqet e tjera të vendit situata paraqitet e qetë. Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po monitorojnë nga afër zhvillimet dhe qëndrojnë në gatishmëri në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të motit.
© SYRI.net