Një vit nga vrasja e të miturit Martin Cani pranë shkollës ‘Fan Noli’ në kryeqytet, prindërit e 14-vjeçarit, shprehin indinjatë nga heshtja e institucionit të dijes ku Martini ka mësuar.
Në një prononcim për mediat nga dera e shkollës, nëna e Martinit, Florina Cani shprehu shqetësimin, lidhur me indiferencën e drejtorisë së ‘Fan Nolit’ dhe mësueses kujdestare të djalit të saj, që në 1-vjetorin e vrasjes së të miturit nuk shprehën asnjë mesazh ngushëllimi.
'Ka humbur sensi njerëzor', u shpreh Florina Cani, teksa shton më tej se djali, Martini nuk ishte nga ata fëmijë, që mësuesja e vet kujdestare të mos thoshte asnjë fjalë për të një vit nga vrasja.
‘Asnjë sms, asgjë. Më vjen keq, para se të jemi mësues jemi prindër. Ka humbur sensi njerëzor, është e tmerrshme që mësuesja kujdestare s’thotë dy fjalë për Martinin. Sepse Martini im s’ishte ai fëmijë që s’i meritonte dy fjalë. Më ka fshirë nga telefoni dhe grupi i prindërve. Jam e aftë të përballem me të gjithë, s’kanë bërë asgjë për Martinin’, u shpreh Florina CAni, nëna e 14-vjeçarit të vrarë pranë shkollës ‘Fan Noli’, ndërsa ende drejtësia nuk ka thënë fjalën e fundit për ngjarjen tragjike të familjes Cani e jo vetëm.
© SYRI.net