Skandali  në gjyqin e boksierit Goran Gogic trondit Nju Jorkun, tre shqiptarë tentuan blerjen e gjyqtarëve

Skandali në gjyqin e boksierit Goran Gogic trondit Nju Jorkun, tre shqiptarë tentuan blerjen e gjyqtarëve

09:44, 18/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykimi federal ndaj ish-boksierit të peshave të rënda, Goran Gogic, në Nju Jork, u përmbys që në ditën e parë, pasi tre persona të lidhur me botën e krimit u akuzuan se tentuan të korruptonin një jurist me 100 mijë dollarë për të ndikuar vendimin.

Sipas prokurorëve federalë, Mustafa Fteja, Valmir Krasniqi dhe Afrim Kupa, të cilët kanë lidhje me krimin e organizuar shqiptar dhe familjen mafioze Gambino, u përpoqën t’i ofronin juristit të fshehur “John Doe” një shumë të majme në këmbim të shpalljes së pafajshëm të Gogic, i cili akuzohet për trafikimin e 22 tonëve kokainë me vlerë mbi 1 miliard dollarë.

Gjykatësja Joan Azrack urdhëroi shpërndarjen e jurisë dhe shtyrjen e procesit me 30 ditë, duke njoftuar se gjykimi do të rifillojë me një trupë të re, anonime dhe pjesërisht të izoluar. Hetimi i FBI-së nisi më 13 nëntor, pasi Fteja kontaktoi juristin për t’i ofruar paratë. Gjatë ditëve të fundit, përgjimet dhe vëzhgimet e hetuesve çuan në regjistrimin e një bisede të zhvilluar të dielën, në Staten Island, ku tre të dyshuarit flisnin në anglisht dhe shqip për mënyrën e dorëzimit të parave. Sipas dokumenteve, Kupa u dëgjua duke konfirmuar shumën: “Njëqind mijë.”

Prokuroria theksoi se tentativa e ryshfetit tregoi rrezikshmërinë e lartë të çështjes dhe kërkoi masa shtesë sigurie për jurinë e ardhshme. Gogic, 46 vjeç, ish-boksier me karrierë profesionale në Gjermani, ka mohuar akuzat se drejtoi një rrjet trafiku që përdorte anije tregtare për të transportuar tonelata kokaine nga Kolumbia drejt Evropës përmes porteve amerikane. Ai është arrestuar që prej vitit 2022 dhe mbahet në qendrën në paraburgim, në Brooklyn.

Tre të dyshuarit për ndërhyrje në proces dolën para gjykatës të hënën. Kupa dhe Krasniqi u mbajtën në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht, ndërsa Fteja u la i lirë me garanci prej 150 mijë dollarësh. Secili prej tyre rrezikon deri në 20 vjet burg, ndërsa prokurorët dyshojnë se ka edhe persona të tjerë të përfshirë në skemë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco