Nga Allan Lengel, DEADLINE DETROIT
Një 65-vjeçar është arrestuar në lidhje me vrasjen me armë zjarri mbrëmjen e së dielës të menaxherit/bashkë-pronarit të restorantit Prime 7 në Commerce Township, në pjesën veriore të qarkut Oakland në SHBA.
Françesk Shkambi, 44 vjeç, u gjet i qëlluar në një verandë jashtë restorantit në adresën 8635 Cooley Lake Rd., gjatë një feste për ndeshjen e Detroit Lions, raportoi WWJ.
Zëvendësit e Sherifit të Qarkut Oakland u thirrën në restorant rreth orës 9:40 të mbrëmjes, pas sinjalizimit për të shtënat.
Autoritetet thonë se Shkambi u thirr jashtë për të folur me një burrë, dhe pikërisht në atë moment u qëllua, raportoi WWJ.
I dyshuari, një banor i Farmington Hills, u dorëzua vetë rreth 20 minuta pas ngjarjes. Hetuesit sekuestruan armën e zjarrit, e cila ishte raportuar e vjedhur, sipas WWJ.
Metro Detroit Crime Report e identifikoi të dyshuarin si Tonin Pjetri, 65 vjeç.
Mbesa dhe nipi i Shkambit i thanë CBS Detroit se i dyshuari ishte mik i xhaxhait të tyre.
“Ishte mik,” tha nipi, Mark Gjura. “Ai ka ardhur këtu dhe ka ngrënë me ne më parë, dhe gjatë ndeshjes së Lions mora një telefonatë nga shokët që më thanë se kishte pasur të shtëna te Prime 7 sepse unë kam punuar atje më herët, dhe pastaj vjen mami poshtë, ‘Është Franco, është Franco,’ dhe u nisëm të gjithë si familje drejt spitalit”.
Charlie Langton i WWJ raportoi se Shkambi ishte liruar pas faljes së dënimit në dhjetor 2024 nga Presidenti Joe Biden. Ai ishte dënuar në vitin 2013 për konspiracion për posedim dhe shpërndarje kokaine, heroine, kanabisi dhe ekstazie.
Faqja e Facebook-ut të Shkambit thotë se ai ishte me origjinë nga Shkodra, Shqipëri.
Dhoma e Tregtisë së zonës së Liqeneve publikoi një deklaratë:
“Dhoma e Tregtisë së zonës së Liqeneve është thellësisht e pikëlluar nga vdekja e Francesk ‘Franco’ Shkambi, pronarit të Prime 7 Bar & Restaurant. Kjo është një humbje tragjike për komunitetin e zonës së Liqeneve dhe zemrat tona shkojnë për familjen, miqtë dhe stafin e përkushtuar të Prime 7 gjatë kësaj periudhe jashtëzakonisht të vështirë. Franco njihej për bujarinë, ngrohtësinë dhe përkushtimin e sinqertë për të mbështetur komunitetin që ai shërbente. Prania e tij pati ndikim domethënës dhe ai do të mungojë thellësisht për të gjithë ata që patën privilegjin ta njihnin”.
© SYRI.net