Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër ka finalizuar operacionin policor të koduar “Borders 4”, duke vënë në pranga një 43-vjeçar që dyshohet se ndihmonte emigrantë nga vendet e treta të kalonin kufijtë në mënyrë të paligjshme, kundrejt pagesës 400–500 euro për person.
Shtetasi K. Ll., 43 vjeç, banues në Mamurras, u kap në flagrancë në fshatin Vukpalaj, teksa transportonte me automjet 6 emigrantë të paligjshëm, 3 nga Siria dhe 3 nga Egjipti, të cilët synonin të kalonin kufirin drejt Malit të Zi.
Policia bën me dije se i arrestuari ishte i dënuar edhe më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe telefoni i tij celular.
Sipas hetimeve paraprake, 43-vjeçari dyshohet se i merrte emigrantët që hynin ilegalisht në Shqipëri nga Qafë Bota dhe më pas i transportonte drejt zonës kufitare me Malin e Zi, kundrejt shpërblimit financiar.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrjetit të mundshëm të bashkëpunëtorëve dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net