SYRI TV/ Ekzekutimi në Rinas, informacione nga spanjollët, policia do kërkojë mbi lëvizjet e Danit e Sheqerit

12:05, 13/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Policia e Tiranës vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes së ekzekutimit të Gilmando Danit. Blutë e kryeqytetit do t’i drejtohen për informacione autoriteteve spanjolle mbi lëvizjet e Gilmando Danit dhe Muço Sheqerit nga data 7 deri në 11 nëntor në Barcelonë. Dyshimet janë se ato janë vëzhguar që nga atje. Disa persona janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje, ndërkohë që po vijon kryqëzimi i pamjeve të kamerave të sigurisë, pasi nga mjeti i djegur nuk mund të përftohet asnjë e dhënë.

SYRI TV

Policia shqiptare do të kërkojë nga autoritetet spanjolle informacion në lidhje me lëvizjet e Gilmando Danit dhe Muço Sheqerit, të cilët udhëtuan drejt Barcelonës më 7 nëntor dhe kur u kthyen në Rinas më 11 nëntor, ranë pre e një atentati.

Hetuesit kanë dyshime të forta se planifikimi dhe organizimi i atentatit ka nisur që nga Barcelona, ku shënjestrat kanë qenë në ruajtje.

Grupi hetimor dyshon se Dani ndiqej prej shumë kohësh nga autorët, madje është ndjekur edhe kur është nisur drejt Spanjës më datë 7 nëntor.

Hetuesit shpresojnë që ndonjë informacion nga Spanja mund t’i japë indicie për zbardhjen e ngjarjes.

Nga kryqëzimi paraprak i mjetit të djegur të autorëve, policia nuk ka përftuar ndonjë element që mund t’i ndihmojë në lidhje me hetimin dhe identifikimin e autorëve. Gjithashtu, po vijon monitorimi i pamjeve të kamerave të sigurisë në zonën e aeroportit dhe rrethina për të kuptuar lëvizjet e autorëve.

Gjithashtu, në pyetje janë marrë disa persona me precedentë penalë, të cilët janë të dyshuar dhe të afërm të Gilmando Danit dhe Muço Sheqerit.

Ndërkohë, 40-vjeçari Muço Sheqeri vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Traumës.

Sipas burimeve nga spitali, Sheqeri nuk ka as përmirësim, as përkeqësim të gjendjes shëndetësore, por është nën monitorim të vazhdueshëm nga mjekët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco