Një operacion i përbashkët i Policisë Kombëtare, Gardës Civile dhe Shërbimit të Doganave në Spanjë ka çuar në shkatërrimin e një organizate kriminale që trafikonte drogë përmes aeroportit ‘Adolfo Suárez Madrid-Barajas’.
Në total janë arrestuar 16 persona, mes tyre edhe udhëheqësi i grupit, një shtetas shqiptar mbi të cilin rëndonte një urdhër ndërkombëtar arresti për trafikim të qenieve njerëzore në vendin e tij.
Operacioni, i koduar ‘Kate-Woood’, ka nisur në vitin 2022 dhe ka përfunduar pas një hetimi të gjatë trevjeçar, duke zbuluar një rrjet të mirëorganizuar që përdorte punonjës të aeroportit për të futur dhe nxjerrë sasi të mëdha droge nga zonat e sigurta të terminalit.
Si vepronte rrjeti
Sipas autoriteteve spanjolle, organizata kishte rekrutuar punonjës të kompanive brenda aeroportit që kishin akses në zona të kufizuara. Ata simulonin se ishin pasagjerë për fluturime të brendshme, hynin në sallën e mbërritjeve ndërkombëtare dhe merrnin valixhet e mbushura me kokainë, të cilave u hiqnin etiketat për të mos u identifikuar. Më pas, dilnin nga aeroporti si pasagjerë të zakonshëm.
Një pjesë tjetër e grupit, e njohur si ‘maleteros’, kishte detyrën të lehtësonte futjen dhe nxjerrjen e drogës nga terminali. Ndërkohë, një testaferr kishte në emër të tij prona dhe automjete për të fshehur pasurinë e vërtetë të udhëheqësit të rrjetit, duke u marrë gjithashtu me furnizimin me armë dhe municion.
Sekuestrimet dhe pastrimi i parave
Në pesë kontrolle të kryera në banesa dhe magazina, hetuesit sekuestruan:
60 kilogramë kokainë, të fshehura në çanta udhëtimi;
Mbi 5 milionë euro para në dorë;
Një arsenal armësh, përfshirë një pistoletë, një pushkë, një hedhës granatash, qindra fishekë, pothuajse 100 detonatorë dhe sasi të konsiderueshme eksplozivi;
Dy automjete luksoze dhe 10 telefona celularë.
Hetimet zbuluan se paratë e trafikut dërgoheshin drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, ku banda po përpiqej të krijonte një rrjet biznesesh për pastrimin e kapitalit kriminal. Për këtë qëllim, grupi kishte ngritur një strukturë kompanish fiktive, përmes të cilave justifikohej mënyra e jetesës së anëtarëve dhe realizohej transferimi i parave drejt llogarive jashtë vendit, përfshirë edhe përdorimin e monedhave virtuale.
Tre vite hetime dhe arrestime kyçe
Operacioni nisi në tetor të vitit 2022, pas sekuestrimit të disa çantave me 10 deri në 14 kilogramë kokainë secila, që kishin mbërritur nga vende të ndryshme të Amerikës Latine.
Në korrik 2023, policia arrestoi shtatë punonjës të aeroportit të Madridit, të cilët u kapën duke tentuar të nxirrnin 27 kilogramë kokainë nga një fluturim i ardhur nga Amerika e Jugut. Vetëm dy ditë më vonë u sekuestruan edhe 14.5 kilogramë të tjerë të së njëjtës lëndë narkotike.
Në fazën përfundimtare të operacionit, autoritetet arrestuan krerët kryesorë të organizatës, përfshirë udhëheqësin shqiptar dhe dy shtetas spanjollë, të cilët kishin rol qendror në koordinimin e hyrjes së drogës, furnizimin me armë dhe pastrimin e parave.
Operacioni ‘Kate-Woood’ konsiderohet një nga goditjet më të mëdha ndaj trafikut të drogës përmes aeroportit të Madridit në vitet e fundit dhe ka zbuluar mënyra të reja të sofistikuara që përdorin grupet kriminale për të shmangur kontrollin kufitar dhe financiar në Europë.
© SYRI.net