Lajmi i fundit

LIVE/ Unioni i sindikatave në protestë para Minstrisë së Financave

Shitën mbi 7.7 ton drogë vetëm në Majorka/ Zbulohet ‘krahu ekzekutiv’ i mafies shqiptare, grupi bleu tre hotele në Spanjë

Shitën mbi 7.7 ton drogë vetëm në Majorka/ Zbulohet ‘krahu ekzekutiv’ i mafies shqiptare, grupi bleu tre hotele në Spanjë

11:33, 07/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Julio Bastida, OK DIARIO

Dokumentet, sekreti mbi të cilat u hoq të hënën e kaluar, theksojnë se mafia shqiptare qëndron pas ngarkesave të mëdha të drogës që arrinin në Majorka dhe Ibiza, nën drejtimin e Stefan Milojeviç, liderit aktual të bandës së motoçiklistëve ‘Tribuns España’ dhe i konsideruar si krahu ekzekutiv i organizatës kriminale dhe përgjegjës për ‘përmbytjen’ e ishujve me substanca narkotike. Në fakt, konfirmohet se kjo organizatë furnizonte më shumë se 50 për qind të pikave të shitjes në ishull, ashtu siç kishte paralajmëruar ekskluzivisht OK BALEARES.

Pas heqjes së sekretit, bëhen të njohura të dhëna të reja nga hetimi i gjatë dhe i hollësishëm i kryer nga agjentët e specializuar të Gardës Civile dhe Policisë Kombëtare. Bëhet fjalë për një nga operacionet e trafikimit të narkotikëve më të fuqishme që janë parë ndonjëherë në Spanjë dhe një nga më të rëndësishmet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Agjentët përgjegjës për operacionin “Enroque Manso Bal” e përshkruajnë bandën si një strukturë me një kapacitet pa precedent, me lidhje direkte midis Milojeviç dhe kapove të njohur të Europës Lindore. Kjo rrjet lejonte që ata të lëviznin drogë në mbarë botën dhe të përdornin ishujt Baleare, veçanërisht Ibizën, si një qendër logjistike për magazinimin dhe shpërndarjen në shkallë të madhe. Me fjalë të tjera, funksiononin si një qendër logjistike e Amazon-it, por në vend të pakove, me kile droge.

Ngarkesat arrinin në Ibiza nga Afrika dhe Amerika e Jugut me anije tregtare, nga ku hidheshin paketat në det për t’u mbledhur nga mjete të shpejta. Të gjitha ngarkesat kishin pajisje GPS. Mafia jepte koordinatat, ndërsa “këlyshët” e Stefanit kujdeseshin t’i merrnin ato në det të hapur.

Nga ishulli, droga shpërndahej në Majorka dhe në gadishull, dhe më pas dërgohej në vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën, Belgjikën dhe Italinë. Në operacionin e nisur dy vjet më parë, forcat e sigurisë kanë sekuestruar 687 kilogramë kokainë, 2.500 kilogramë hashash dhe më shumë se një milion e gjysmë euro, megjithatë dokumentet e konfiskuara nga të dyshuarit tregojnë për një aktivitet shumë më të madh: vetëm në Majorka ata thuhet se kishin shitur 2.107 kilogramë kokainë dhe 5.647 kilogramë hashash, me të ardhura mbi 25 milionë euro.

Hetuesit theksojnë se organizata përdorte Ibizën si portë hyrëse të sasisë së madhe të drogës për në Evropë dhe kishte një infrastrukturë të qëndrueshme në ishull për të magazinuar ngarkesat para shpërndarjes. Sipas raporteve, mafiozët madje kishin instaluar pajisje gjurmimi në automjetet e policisë për t’u paraprirë lëvizjeve të agjentëve dhe për të shmangur operacionet, gjë që u mundësoi të përfundonin me sukses zbarkimin e gati dy tonë hashash.

Në Majorka, Milojevic kishte një rrjet bashkëpunëtorësh që kujdeseshin për fshehjen dhe shitjen e drogës. Një pjesë e mallit lëvizte përmes klaneve lokale në Son Banya, La Soledat, Virgen de Lluc, Son Gotleu, Camp Redó (Corea), por gjithashtu kishte edhe blerës të rëndësishëm në Part Forana. Organizata zotëronte një pronë në Llucmajor ku groposnin kontejnerë të mbushur me drogë, më shumë nga frika ndaj trafikantëve të tjerë sesa ndaj policisë.

Agjentët gjithashtu përmendin Gonzalo Márquez, avokat nga Majorka, si partnerin dhe trurin financiar të operacionit. Sipas hetimit, Márquez ishte përgjegjës për drejtimin e aktiviteteve të rrjetit dhe pastrimin e përfitimeve përmes kompanive “fasadë”, me të cilat blenë tre hotele në Majorka, Pamplona dhe Almansa.

Forcat e sigurisë bien dakord se rrjeti shqiptar arriti të vendosë në Baleare një bazë operative me lidhje ndërkombëtare, një organizatë që ka kthyer ishujt në një pikë kyçe të trafikut të drogës në Evropë dhe ka rrezikuar sigurinë e arkipelagut.

ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco