Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin e shkallës së dytë, duke prishur dënimin me 15 vite burg të Domart Konjarit, i cili akuzohet për një sërë veprash penale, përfshirë organizimin e një grupi kriminal dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Konjari, i shpallur fajtor në vitin 2021 për një sërë akuzash, do të gjykohet sërish në Apelin e Posaçëm, këtë herë nga një trupë gjykuese tjetër.
Në tetor të vitit 2021, Konjari ishte dënuar me 15 vite burg në mungesë, pasi akuzohej për krijimin dhe drejtimin e një organizate kriminale, pastrim parash të përfituara nga aktiviteti kriminal, falsifikimin e dokumenteve dhe korrupsion. Gazetari Fatjon Gjinaj raporton për Syri TV se sipas aktakuzës, ai ishte i përfshirë në trafikimin e kokainës dhe heroinës nga Amerika Latine në Europë, duke e pasur si destinacion kryesor Francën.
Përveç akuzave të trafikut të drogës, Konjari është i dyshuar si udhëheqës i një grupi të organizuar për vrasjen e Devi Kasmit, me të cilin dyshohet se kishte bashkëpunim në aktivitetet narkotike. Dyshohet gjithashtu se Konjari dhe Kasmi kishin drejtuar së bashku një grup narkotikësh në Spanjë, i cili furnizonte Europën me kokainë.
© SYRI.net