Sindikata e naftëtarëve paralajmëron përshkallëzim të protestave nëse kërkesat nuk plotësohen gjatë bisedimeve me kompaninë Bankers dhe Ministrinë e Financave.
Naftëtarët e Sindikatës së Hidrokarbureve janë rikthyer sot në protesta përpara zyrave qendrore të kompanisë Bankers, pas një takimi pa rezultat disa ditë më parë me ministren e Financave, Delina Ibrahimaj.
Punonjësit kërkojnë reflektim të kompanisë dhe plotësimin e kërkesave të tyre, duke paralajmëruar se nuk do të ketë kthim pas.
Dritan Shaho, duke folur me megafon, bëri të ditur se protesta synon të mbështesë jo vetëm punonjësit e hidrokarbureve, por edhe të gjithë sindikatat dhe punonjësit e tjerë.
Ai theksoi se nëse takimi trepalësh i nesërm në Ministrinë e Financave ku do të marrin pjesë Sindikata, kompania Bankers dhe Inspektoriati i Punës nuk sjell një rezultat pozitiv, protestat do të përshkallëzohen.
Sindikata kërkon që kompania Bankers të ndryshojë qasjen e saj dhe të plotësojë kërkesat e punonjësve, për të shmangur tensionet dhe për të siguruar zgjidhje të drejtë.
© SYRI.net