Historia e protestuesit para SPAK: Konflikti 20 vjeçar për pronën në Golem

09:10, 05/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rexhep Ademi, qytetari që prej ditësh proteston i vetëm para Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ka rrëfyer në studion e ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv historinë e tij të një konflikti pronësie që është përshkallëzuar në kërcënime dhe dhunë fizike.

Ai pretendon se prona e familjes së tij në Golem, e trashëguar nga gjyshi, i është marrë përmes dokumenteve të falsifikuara nga familjarë të afërt.

Sipas zotit Ademi, gjithçka nisi në vitin 1999 kur daja i tij i kërkoi nënës së tij të ndërtonin një shtëpi në tokën e familjes dhe prokurë për të marrë tokat e gjyshit.

Konflikti shpërtheu kur u zbulua se ekzistonin dy Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) për të njëjtën sipërfaqe.

Njëri prej tyre, sipas tij, është i falsifikuar, me një firmë kaligrafike të gjyshit të tij analfabet dhe pa datë zyrtare. Ky dokument dyshohet se është përdorur për të tjetërsuar pronën ku sot po ndërtohet një resort turistik, “Adriatic Golden Resort”.

Ademi denoncoi se pas kundërshtimit të tij, konflikti ka marrë përmasa të rrezikshme. Ai tregoi se ka marrë kërcënime direkte, përfshirë një mesazh ku i thuhej “varet kush e merr plumbin i pari”, gjë që e detyroi të largonte familjen jashtë vendit për siguri. Pika kulmore e dhunës, sipas tij, ishte sulmi fizik ndaj prindërve të tij të moshuar më 16 tetor 2023, ku atyre iu bllokua rruga dhe u dhunuan.

Pavarësisht denoncimeve dhe provave filmike nga kamerat e sigurisë, ai akuzon policinë e Kavajës për mosveprim dhe anësi.

I zhgënjyer nga institucionet lokale, Ademi vendosi ta çojë çështjen në SPAK, duke protestuar me pankarta në duar. Ai shprehu keqardhjen për mungesën e mbështetjes qytetare, duke theksuar se “halli i tij është halli i gjithë shqiptarëve”. Gjatë intervistës, ai tregoi pamje direkte nga kamerat e sigurisë, ku shiheshin eskavatorë që vazhdonin punimet në pronën e kontestuar, duke shembur ndërtesat ekzistuese.

Ai deklaroi se pavarësisht se SPAK e ka përcjellë kallëzimin e tij në Prokurorinë e Durrësit, në terren nuk ka asnjë ndryshim dhe ndërtimet e paligjshme vazhdojnë. Ademi u zotua se do ta ndjekë çështjen deri në fund, duke kërkuar drejtësi për pronën e familjes dhe për dhunën e ushtruar ndaj prindërve të tij.

Shikoni denoncimin

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco