Në procesin gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë”, para trupës gjykuese të GJKKO-s, ka dëshmuar ditën e sotme ish e dashura e Elvis Dedës, e identifikuar me inicialet P. M., e cila ka rrëfyer detaje nga periudha e lidhjes me viktimën dhe ngjarjet që paraprinë vrasjen e tij në vitin 2012.
Në dëshminë e saj, P. M. tregoi se me Ervis Dedën ishte njohur në mars të vitit 2011, përmes një shoqeje që kishte njohje me Festim Qolin, person që sipas hetimeve ka pasur konflikte me Dedën për pronësinë e një pike karburanti në Shkozet.
“Me Elvisin jam njohur në mars 2011 dhe lidhja zgjati deri në momentin që ai ndërroi jetë. Ai sapo ishte kthyer nga Holanda dhe po diskutonte të hapte një pikë karburanti me Festim Qolin. U hap karburanti në Shkozet, por unë nuk kam qenë asnjëherë aty. Festimi merrej me menaxhimin, ndërsa Elvisi jetonte në Durrës me nënën dhe herë pas here rrinim bashkë në Golem”, – dëshmoi ajo.
Sipas rrëfimit të ish të dashurës, Elvisi ditën e ngjarjes ishte i shqetësuar për çështjen e karburantit, që ishte regjistruar në emër të Festim Qolit, ndërsa ai dëshironte ta kalonte në emër të nënës së tij, Fatmira Dedës.
“Ditën e ngjarjes më solli në Tiranë për provim, më pas më ktheu në Durrës dhe iku. Rreth orës 14:00-15:00 pashë në televizor lajmin për vrasjen. Ai ishte i shqetësuar atë ditë për karburantin. Konflikti me Festimin kishte nisur 2-3 muaj më parë, pasi donte ta kalonte në emër të nënës”, – tha P. M.
Ajo shtoi se pas vrasjes së Elvisit, kishte qenë shumë e tronditur dhe ishte takuar me nënën e tij rreth 40 ditë pas ngjarjes, duke theksuar se Festim Qoli nuk ishte i pranishëm në varrim.
Në dëshminë e saj, P. M. përmendi gjithashtu se Elvisi, i njohur me pseudonimin “Loshi”, kishte disa numra telefoni, por komunikonte me të vetëm në një numër të caktuar.
© SYRI.net