Policia ka bërë publike detaje të reja lidhur me ngjarjen ku Spartak Zekja, kreu i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, i larguar gati një muaj më parë nga detyra, është arrestuar pasi akuzohet se është përfshirë në një skemë mashtrimi me ilaçet e rimbursueshme që përdoren për trajtimin e sëmundjeve kronike të frymëmarrjes.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të hetimeve, janë ekzekutuar masa sigurie për 7 persona të përfshirë në këtë skemë mashtrimi që përfitohej përmes falsifikimit të dokumenteve në emër të dy depove farmaceutike.
Në pranga ka përfunduar S. Z., 54 vjeç, ndaj të cilit është vendosur masa “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikim dokumentesh” dhe “Fshehje të të ardhurave”.
Gjithashtu, janë proceduar me masa të tjera sigurie:
A. Z., 30 vjeçe, J. B., 33 vjeçe dhe L. B., 32 vjeçe, me “Ndalim daljeje jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”;
Z. M., 38 vjeçe dhe E. Gj., 27 vjeçe, me “Ndalim daljeje jashtë shtetit” dhe “Pezullim nga detyra publike”;
R. A., 35 vjeçe, me “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim F. M., 39 vjeç, për të cilin Gjykata ka caktuar masën “Arrest në burg” për të njëjtat vepra penale.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj skeme mashtrimi që dyshohet të ketë shkaktuar dëme të konsiderueshme në fondin e barnave të rimbursueshme.
Njoftimi i plotë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
✅Ekzekutohen masa sigurie për 7 shtetas, të cilët për llogari të 2 depove farmaceutike, falsifikuan dokumente për të përfituar para nga fondi i barnave të rimbursueshëm.
Punohet për kapjen e një shtetasi tjetër të implikuar në këtë veprimtari.
Në vijim të një hetimi me metoda speciale, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ekzekutuan për shtetasit:
-S. Z., 54 vjeç, masën “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Fshehja e të ardhurave”;
-A. Z., 30 vjeçe, J. B., 33 vjeçe dhe L. B., 32 vjeçe, masat “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Fshehja e të ardhurave”;
-Z. M., 38 vjeçe dhe E. Gj., 27 vjeçe, masat “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”;
-R. A., 35 vjeçe, masën “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Më tej, u shpall në kërkim shtetasi F. M., 39 vjeç, për të cilin Gjykata ka caktuar masën “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Punohet për kapjen e tij.
© SYRI.net