Një trafikant shqiptar droge që po kundërshton ekstradimin në Itali, ka pretenduar se mungesa e ujit të ngrohtë në burgjet italiane përbën shkelje të të drejtave të tij sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Maringlen Qefalia, 41 vjeç, i dënuar me pesë vite burg në Itali për furnizim me 1.5 kg kokainë, kërkohet nga autoritetet italiane për të vuajtur dënimin e mbetur.
Por Qefalia, që besohet të ketë hyrë ilegalisht në Britani në vitin 2022, po përpiqet të bllokojë ekstradimin duke argumentuar se kushtet e burgjeve në Itali do të shkelin nenin 3 të KEDNJ-së. Ky nen mbron nga tortura, trajtimi çnjerëzor ose degradues, dhe zakonisht përdoret nga azilkërkues që përballen me deportim.
Gjatë procesit gjyqësor për ekstradimin, Qefalia nuk dëshmoi vetë, por thirri si ekspert Alessio Scandurra, dëshmitar me përvojë 30-vjeçare nga organizata italiane ‘Antigone’, një shoqatë jofitimprurëse që merret me drejtësinë, të drejtat e njeriut dhe politikat penale.
Scandurra tha se shumë qeli në burgjet italiane nuk përmbushin hapësirën minimale të rekomanduar për lëvizje të lirë të të burgosurve.
Rregulloret kërkojnë që çdo i burgosur të ketë të paktën 9 metra katrorë hapësirë, me 5 metra shtesë për çdo të burgosur tjetër në qeli.
Por gjykata u informua se ‘një numër burgjesh nuk janë ndërtuar fillimisht si të tilla, disa kanë qenë manastire apo godina ushtarake, dhe mund të kenë qeli individuale që nuk plotësojnë standardet.
Në disa burgje me mbipopullim deri në 150%, qelitë janë 9 metra katrorë (pa përfshirë tualetin), dhe ndonjëherë kanë krevate treshe, me shtratin e sipërm shumë pranë tavanit.
Të burgosurit nuk mund të ulen të gjithë rreth tavolinës së qelisë. Këto kushte ndikojnë edhe në mundësinë e tyre për të dalë në ajër të pastër, pasi mungon stafi i mjaftueshëm.’

Eksperti shtoi gjithashtu se furnizimi me ujë të ngrohtë është ‘i ndryshueshëm’ dhe se qelitë shpesh mbinxehen gjatë verës.
Të burgosurit mund të blejnë ventilatorë tavoline për t’u freskuar, por ai vlerësoi se gjatë verës së kaluar të paktën 50% e qelive që kishte vizituar nuk kishin ventilatorë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Italisë në proces, Adam Squibbs, argumentoi se edhe me një mbipopullim deri në 300%, qelitë përputhen me standardet minimale ligjore.
Ai theksoi se, edhe pse disa godina të vjetra mund të kenë qeli më të vogla, nuk kishte prova konkrete për madhësinë e tyre. Edhe në qelitë me regjim të mbyllur, të burgosurit kanë mundësi për arsimim dhe punë jashtë qelive.
Squibbs argumentoi se kushtet materiale nuk përbëjnë shkelje të nenit 3 të Konventës, edhe nëse merren të gjitha pretendimet si të vërteta.
Ndërsa mungesa e ujit të ngrohtë gjatë gjithë kohës nuk përbën shkelje të të drejtave nën Konventë, ‘larja me ujë të ftohtë nuk është trajtim çnjerëzor’.
Ai shtoi se Qefalia kishte vendosur një garanci prej 2,000 £ në kërkesën për lirimin me kusht, çka tregon se mund të përballojë blerjen e një ventilatori për t’u mbrojtur nga nxehtësia.
Gjykatësi hodhi poshtë ankesën e Qefalisë për të ndaluar ekstradimin, duke thënë:
‘Maringlen Qefalia është teknikisht një i arratisur. Jam i bindur se ai u largua nga Italia me dijeni të plotë për procesin penal, për dënimin që i kishte mbetur për të vuajtur, dhe pa njoftuar autoritetet italiane. Ai është larguar me vetëdije për t’iu shmangur drejtësisë italiane.
Sa i përket temperaturës, provat janë të paqarta dhe jo të detajuara, nuk analizojnë se si krahasohen me kushtet reale të popullsisë.
Edhe në lidhje me ujin e ngrohtë, niveli ‘i ndryshueshëm’ duhet specifikuar sipas vendndodhjes. Ndërsa uji i ngrohtë mund të jetë i nevojshëm në dimrin e ftohtë të veriut të Italisë, në jug, gjatë verës, një dush i ftohtë mund të jetë madje i domosdoshëm.
Jam plotësisht i bindur se nuk ekziston asnjë rrezik real për shkelje të nenit 3, prandaj nuk shoh nevojë për informacion apo garanci shtesë.’
© SYRI.net