SPAK zbardh akuzat për bashkëpunëtorin e Ballukut, Ervis Berberi

16:51, 03/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zgjeruar hetimet në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, duke ngritur akuza ndaj pesë të pandehurve të tjerë: Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica.

Të gjithë akuzohen për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë në seksionin Orikum–Himarë të autostradës SH8 (Vlorë–Sarandë).

Sipas SPAK, në kohën e zhvillimit të tenderit me fond limit afro 19 miliardë lekë pa TVSH, të pandehurit ushtronin funksione të larta në Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Njoftimi i SPAK: 

Në vijim të njoftimit të mëparshëm të  publikuar më 31.10.2025, në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.136 të vitit 2025,  Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur akuza në ngarkim të pandehurve të tjerë; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim,  parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.

Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurve; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë të bëjnë me veprimet e tyre në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit, i rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë  e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë  e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.

Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale, Evis Berberi – Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi – Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli – Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, specialiste të nivelit të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco