Nga Alba Kepi/
Gazetari italian Giuseppe Bascietto, i njohur për investigimet e tij mbi praninë dhe rolin e mafias shqiptare në Siçili, është vendosur nën mbrojtje shtetërore pas kërcënimeve të drejtpërdrejta që kanë dalë në dritë përmes përgjimeve të autoriteteve italiane.
Sipas burimeve të policisë, në një bisedë të përgjuar mes një shtetasi italian dhe një shtetasi shqiptar janë regjistruar kërcënime për eliminimin fizik të gazetarit, për shkak të publikimeve të tij që kanë ekspozuar lidhje të dyshuara të grupeve kriminale shqiptare me rrjete mafioze lokale në provincën e Raguzës, dhe në veçanti në qytetin Vittoria.
Gazetarja Alba Kepi, e cila ka komunikuar drejtpërdrejt me Bascietton, informon se gazetari ndodhet nën mbrojtje që prej katër ditësh, në kuadër të një programi të posaçëm sigurie të koordinuar nga autoritetet italiane.
“Jam nën mbrojtje shtetërore prej disa ditësh. Situata është e ndërlikuar, por nuk do të ndalem së raportuari për atë që po ndodh në Vittoria,” – ka deklaruar shkurt Bascietto për Alba Kepin.
Më herët, Syri TV ka transmetuar një intervistë ekskluzive me gazetarin italian, ku ai kishte paraqitur një panoramë të gjerë të rritjes së ndikimit të grupeve kriminale shqiptare në tregjet merkatat bujqësore dhe në bizneset lokale të Siçilisë, në veçanti në Vittoria e ka folur për mënyrën se si ato po krijojnë lidhje me klane mafioze tradicionale si Cosa Nostra.
Sipas raportimeve të tij, Vittoria është shndërruar në një qendër kyçe për aktivitetet ilegale që lidhen me trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe kontrollin e tregjeve bujqësore, ku përfshihen edhe elementë të ardhur nga Shqipëria.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për identifikimin e personave që qëndrojnë pas kërcënimeve dhe për lidhjet e mundshme të tyre me rrjetet kriminale që operojnë në Siçili.
© SYRI.net