'BASSO PROFILO' në Gjykatën e Apelit më 21 nëntor 2025: Mafia kalabreze dhe rrjeti sipërmarrës që investonte në Shqipëri

'BASSO PROFILO' në Gjykatën e Apelit më 21 nëntor 2025: Mafia kalabreze dhe rrjeti sipërmarrës që investonte në Shqipëri

09:25, 03/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Syri Tv ka zbardhur lajmin se më 21 nëntor pritet vendimi në Apel për mbi 80 të akuzuar në dosjen e Antimafias italiane i koduar “Basso Profilo”, ku Shqipëria, e veçanërisht Tirana, shfaqej si destinacion për pastrim parash e investime të dyshimta të kapitaleve të mafias kalabreze ’Ndrangheta’.

Një nga proceset më të mëdha gjyqësore të dekadës së fundit në Itali, “Basso Profilo”, që goditi lidhjet mes politikës, biznesit dhe mafies kalabreze, po hyn në fazën përfundimtare.

Më 21 nëntor, Gjykata e Apelit e Katanzaros do të japë vendimin për 80 të akuzuar, mes tyre zyrtarë, sipërmarrës, noterë, avokatë dhe ish-oficerë të forcave të rendit, të dyshuar se kanë bashkëpunuar me ’Ndrangheta-n e Crotone-s, Isola Capo Rizzuto-s dhe Cutro-s.

Sipas Drejtorisë Rajonale Antimafia të Katanzaros (DDA), ky ishte një grup sipërmarrës mafioz, që përdorte kompanitë e prestanomi shqiptarë, si maskë për pastrim parash, korrupsion dhe ndërhyrje në tendera publikë, me synim që të shtrinte aktivitetin në Shqipëri.

Në dosjen hetimore mijëra faqe, Antimafia italiane dokumenton plane konkrete për zgjerimin e aktivitetit të rrjetit në Shqipëri, të cilat përfshinin kontakte në administratën publike shqiptare, në Bashkinë e Tiranës, në ministri, në Polici, në sektorin shëndetësor publik, për hapje kompanish ndërtimi dhe përpjekje për të marrë pjesë në tendera e investime infrastrukturore.

Sipas hetuesve, përmes një zinxhiri kompanish italiane dhe ndërmjetësish shqiptarë, grupi synonte të kanalizonte miliona euro nga aktivitetet e paligjshme në Kalabri drejt tregut shqiptar të ndërtimit dhe energjisë, duke përfituar nga mungesa e kontrolleve të forta financiare.

Në një raport të DDA-së thuhet:
“Qëllimi i grupit ishte të depërtonte në nyjet e administratës publike shqiptare, duke përdorur lidhje të nivelit të lartë për të siguruar licenca, kontrata dhe mbështetje politike.”

Ercole D’Alessandro, funksionari i Financës dhe ura e lidhjes me Shqipërinë

Në qendër të dosjes qëndron Ercole D’Alessandro, ish-kolonel i Guardia di Finanza, i cili, sipas Antimafias, shërbente si pika kyçe e lidhjes mes botës së biznesit mafioz dhe institucioneve publike.

Ai akuzohet se ka ndihmuar rrjetin mafioz të krijojë kontakte me zyrtarë dhe biznese në Shqipëri, duke përdorur pozicionin e tij për akses të paligjshëm në sistemet informatike të financave italiane (SDI) dhe për të siguruar informacion të rezervuar. Në shkallën e parë, D’Alessandro u dënua me 6 vjet e 8 muaj burg, por në Apel Prokuroria kërkon ashpërsim të dënimit në 10 vjet.

Avokati mbrojtës Gregorio Viscomi e ka cilësuar këtë kërkesë “tërësisht të pabazuar”, por DDA e Katanzaros e konsideron atë figurën më të rëndësishme të infiltrimit institucional.

Në biseda të përgjruara, D’Alessandro përmendet duke folur për “miq që hapin çdo derë në Tiranë”, referencë që hetuesit e kanë lidhur me planin për investime në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

Odeta Hasaj, gastroenterologe shqiptare e përfshirë në skemën e rrjetit

Një tjetër figurë me lidhje shqiptare në këtë çështje është Odeta Hasaj (57), gastroenterologe me origjinë nga Shqipëria dhe partnere e D’Alessandros. Sipas akuzës, ajo ka bashkëpunuar për akses të paautorizuar në sistemet informatike të Guardia di Finanza-së dhe ka pasur rol ndërmjetësues në kontaktet e grupit me sipërmarrje në Shqipëri.

Në shkallën e parë, ajo u dënua me 4 vjet e 2 muaj burg, dhe në Apel Prokuroria kërkon konfirmim të plotë të dënimit.

Prokurori Sirleo, i cili ndjek çështjen në Apel, ka përshkruar të gjithë akuzën themelore ndaj grupit të udhëhequr nga Antonio Gallo, duke kërkuar dënime më të rënda për shumicën e të pandehurve. Sipas akuzës, Gallo përdorte kompanitë e tij për të fituar kontrata publike në bashkëpunim me politikanë lokalë, duke ofruar mbështetje elektorale në këmbim të ndërhyrjeve për tendera dhe fonde publike.

Henrik Baçi – nga biznesi në Shqipëri te akuzat në dosjen “Basso Profilo”

Një prej emrave shqiptarë që shfaqet në dosjen e njohur antimafia “Basso Profilo” është Henrik Baçi, biznesmen me aktivitet biznesi mes Italisë dhe Shqipërisë. Ai është ndër personat për të cilët Prokuroria e Katanzaros ka kërkuar 7 vite burg, pasi akuzohet se ka pasur një rol kyç në degën ndërkombëtare të grupit mafioz që operonte nën drejtimin e sipërmarrësit kalabrez Antonio Gallo, i njohur si Princi i ’Ndranghetas.

Sipas dokumenteve zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), më 4 maj 2017, në Tiranë është krijuar kompania “Gallo Albania”, me ortakë Antonio Gallo, Henrik Baçi dhe Klodian Baçi. Kjo shoqëri rezulton të ketë një gamë të gjerë aktivitetesh që përfshijnë: import-eksport të veshjeve tekstile, prodhim dhe shitje artikujsh industrialë e elektronikë, printime logosh dhe produkte reklamash, si dhe krijimin dhe menaxhimin e programeve kompjuterike.

Hetuesit italianë dyshojnë se kompania është përdorur si një kanal për investime të dyshimta dhe lëvizje kapitali mes Italisë dhe Shqipërisë, duke shërbyer si një instrument për pastrimin e parave të fituara nga aktivitetet e paligjshme të grupit mafioz të Gallo-s në Kalabri.

Në aktakuzën e DDA Catanzaro, Henrik Baçi përmendet si ndërmjetës ekonomik i strukturave të Antonio Gallo-s në Shqipëri. Sipas prokurorisë, ai ka ndihmuar në “zgjerimin e interesave të grupit në Shqipëri”, duke shfrytëzuar njohjet dhe lidhjet e tij me institucionet.

Në dokumentet e hetimit, Baçi cilësohet si “njeriu i Gallo-s në Shqipëri”, pjesë e një rrjeti sipërmarrësish që bashkëpunonin me ’ndrinat’ e Crotone, Cutro dhe Isola Capo Rizzuto për të krijuar një sistem ekonomik paralel me mbështetje politike dhe institucionale.

Para se të shfaqej në dosjen antimafia, Henrik Baçi kishte fituar vëmendje për një veprim humanitar: në prill 2020, gjatë kulmit të pandemisë së COVID-19, ai dhuroi 3000 maska mbrojtëse dhe 50 veshje kirurgjikale për spitalet shqiptare.

Në procesin gjyqësor të “Basso Profilo”, prokuroria italiane ka kërkuar 7 vite burg për Henrik Baçin, ndërsa në shkallën e parë ai ishte dënuar me 2 vite. Akuzat përfshijnë pjesëmarrje në grup kriminal me rëndësi mafioze dhe përfshirje në skema të pastrimit të parave, në bashkëpunim me anëtarë të rrjeteve kalabreze dhe sipërmarrës të lidhur me ta në Itali e jashtë saj.

“BASSO PROFILO” – Lista e plotë e dënimeve të kërkuara në Apel

(Në kllapa janë vendimet e shkallës së parë)

Henrik Baçi (48), shqiptar – 7 vjet (2 vjet)

Elena Banu (53), rumune, rezidente në Sellia Marina – 3 vjet e 4 muaj (3 vjet e 4 muaj)

Antonio Santo Bagnato (57), nga Roccabernarda – 6 vjet e 6 muaj (6 vjet e 6 muaj)

Saverio Brutto (35), nga Catanzaro – 6 vjet (i pafajshëm në shkallën e parë)

Tommaso Brutto (61), nga Catanzaro – 8 vjet (i pafajshëm në shkallën e parë)

Maria Rosaria Caliò (55), nga Catanzaro – 3 vjet e 8 muaj (3 vjet e 8 muaj)

Eliodoro Carduccelli (46), nga Catanzaro – 12 vjet (8 vjet)

Ilenia Cerenzia (26), nga Cotronei – 6 vjet (4vjet e 5 muaj);

• Nicola Cirillo (57), nga Cirò Marina – 2 vjet e 8 muaj (2 vjet e 8 muaj);

• Ercole D’Alessandro (67), nga Catanzaro – 10 vjet (6 vjet e 8 muaj);

• Vincenzo De Luca (45), nga Catanzaro – 3 vjet (i pafajshwm nw shkallwn e parw);

• Antonella Drosi (68), nga Catanzaro – 2 vjet (2 vjet);

• Santo Faldella (40), nga Squillace – 5 vjet (4 vjet e 10 muaj);

• Antonello Formica (61), nga Settingiano – 6 muaj (6 muaj);

• Antonio Gallo (44), nga Sellia Marina – 30 vjet (30 vjet);

• Francesco Gallo (70), nga Sersale – 5 vjet (4 vjet e 2 muaj);

• Glenda Giglio (43), nga Catanzaro – 7 vjet (e pafajshme nw shkallwn e parw);

• Umberto Gigliotta (41), nga Catanzaro – 30 vjet (30 vjet);

• Odeta Hasaj (57), shqiptare – 4 vjet e 2 muaj (4 vjet e 2 muaj);

• Giuseppe Lamanna (38), nga Sellia Marina – 2 vjet (2 vjet);

• Andrea Leone (56), nga Catanzaro – 20 vjet (18 vjet);

• Francesco Lerose (53), nga Catanzaro – 9 vjet (4 vjet e 8 muaj);

• Ieso Marinaro (60), nga Catanzaro – 7 vjet e 6 muaj (7 vjet e 2 muaj);

• Giovanni Mazzei (66), nga Crotone – 6 vjet e 4 muaj (3 vjet);

• Antonio Melino (56), nga Crotone – 4 vjet (i pafajshwm nw shkallwn e parw);

• Giuseppe Liberato Paciullo (70), nga Catanzaro – 4 vjet e 4 muaj (4 vjet e 4 muaj);

• Daniela Paonessa (48), nga Catanzaro – 7 vjet e 6 muaj (7 vjet);

• Raffaele Posca (43), nga Catanzaro – 2 vjet (2 vjet);

• Andrea Rosa (31), nga Collegno – 4 vjet e 2 muaj (4 vjet e 2 muaj);

• Umberto Rotundo (26), nga Catanzaro – 2 vjet e 2 muaj (2 vjet);

• Rolando Russo (40), nga Sellia Marina – 3 vjet e 4 muaj (3 vjet e 4 muaj);

• Giovanni Servidio (36), nga Rose – 3 vjet e 4 muaj (3 vjet e 4 muaj);

• Maurizio Silipo (65), nga Lattarico – 3 vjet e 8 muaj (3 vjet e 8 muaj);

• Maria Teresa Sinopoli (47), nga Squillace – 7 vjet e 8 muaj (7 vjet e 8 muaj);

• Rosa Talarico (36), nga Sellia Marina – 6 vjet (4 vjet e 6 muaj);

• Matteo Tarantino (34), nga Catanzaro – 3 vjet (3 vjet);

• Luca Torcia (33), nga Roccabernarda – 3 vjet (2 vjet e 7 muaj);

• Rosa Torcia (56), nga Roccabernarda – 3 vjet (3 vjet e 9 muaj);

• Alberto Zavatta (39), nga Borgia – 1 vit e 8 muaj (1 vit e 8 muaj);

• Claudio Zavatta (67), nga Catanzaro – 1 vit e 8 muaj (1 vit e 8 muaj).

Procesi “Basso Profilo” përfaqëson një dokumentim bashkëpunimi midis mafies, politikës dhe botës së biznesit, ku Shqipëria del si destinacion strategjik i interesave kriminale për pastrimin e kapitalit.
Vendimi i Gjykatës së Apelit të Katanzaros më 21 nëntor do të jetë përcaktues për të ardhmen e këtij rasti me ndikim të gjerë ndërkombëtar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco