FOTO/ Vrasje në lokalin e mbushur me klientë te Komuna e Parisit, gazetari zbulon detajet

17:39, 28/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një konflikt banal mes dy kolegësh në një restorant në zonën e Komunës së Parisit ka përfunduar me vdekjen e njërit prej tyre. Në vendngjarje ndodhen edhe grupet e ekspertëve.

Gazetari Klajdi Bodlli raporton për Syri TV se, viktima, Indrit Salillari, 34 vjeç, ka humbur jetën në spitalin e Traumës pas disa goditjeve me thikë nga kolegu i tij, Filip Shehu, 41 vjeç, i cili tashmë është arrestuar nga policia. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 në një lokal të frekuentuar, ku të dy burrat punonin si picajolë. Sipas informacioneve paraprake nga policia, sherri mes tyre ka nisur për motive të dobëta, të lidhura me punën.

Raportohet se debati verbal ka përshkallëzuar shpejt, ku 41-vjeçari Shehu ka marrë një thikë dhe ka goditur disa herë në pjesën e qafës kolegun e tij më të ri. Në momentin e ngjarjes, në lokal ndodheshin edhe klientë, të cilët kanë qenë dëshmitarë të skenës së tmerrshme. Ka qenë ndërhyrja e punonjësve të tjerë që ka bërë të mundur neutralizimin e autorit dhe parandalimin e një tragjedie edhe më të madhe. Menjëherë pas kësaj, Salillari është dërguar me urgjencë në spital, por për shkak të plagëve të rënda dhe humbjes së madhe të gjakut, nuk ka mundur të mbijetojë.

Autori Filip Shehu, në dëshminë e tij fillestare para policisë, ka pranuar se konflikti nisi për shkaqe pune, duke përmendur një mosmarrëveshje "për tasin e proshutës", por ka mohuar të ketë pasur konflikte të mëparshme me viktimën. Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke arrestuar autorin dhe duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së krimit. Pritet që pamjet nga kamerat e sigurisë së lokalit të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e sakta të ngjarjes. Kjo vrasje shënon ngjarjen e tretë të rëndë kriminale brenda pak orësh në Shqipëri, pas dy rasteve të tjera në Berat dhe Durrës, duke ngritur alarmin për një përshkallëzim të dhunës për motive banale.

Ekspertët në terren vënë në dukje se ky fenomen nuk përfshin më vetëm të rinjtë, por edhe mosha të pjekura, duke reflektuar një nivel të lartë stresi dhe paaftësie për të menaxhuar konfliktet në mënyrë paqësore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco