SPAK mbyll hetimet për oficerin e policisë Dani dhe 5 persona të tjerë. Ja 3 akuzat që i atribuohen

SPAK mbyll hetimet për oficerin e policisë Dani dhe 5 persona të tjerë. Ja 3 akuzat që i atribuohen

15:38, 28/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Elton Qyno/

Prokuroria e posaçme SPAK, i ka dhënë fund hetimeve ndaj 6 të pandehurve mes të cilëve dhe ish-oficerit të policisë Erjon Dani.

Mësohet se 6 personat e pandehur, Musa Gjikola, Klodjan Muça, Sokol Masha, Erjon Dani, Emiljano (alias Millan) Roçi dhe Vilson Roçi, akuzohen për “Shpërdorim detyre” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë” vepra këto të kryera në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”.

Hetimet janë kryer në kuadër të procedimit penal nr. 177/1 të vitit 2025, në ngarkim të personave të mësipërm.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta, ku kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, me qëllim ndikimin në masa sigurimi personal dhe favorizim në dhënie dënimi  ndaj disa të arrestuarve.

Gjithashtu, është provuar se i pandehuri Erjon Dani, në kohën e ngjarjeve me detyrë zëvendësshef komisariati dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS.

Hetimet kanë dokumentuar se të pandehurit kanë bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky EÇ”, të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike ndërkombëtare.

Ky procedim penal është ndarë nga procedimi penal nr. 177 i vitit 2023, për të cilin vijojnë hetimet ndaj disa personave të tjerë nën hetim, të dyshuar për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco