SYRI TV
Ish-deputeti socialist Plarent Ndreca kërkon të ndahet nga grupi i zyrtarëve që akuzohen për abuzimin me tenderin e rikonstruksionit të 4 komisariateve. Ndreca ishte i vetmi që kërkoi gjykim të zakonshëm dhe kalimin e çështjes për t’u gjykuar në gjykatën e Tiranës me pretendimin se e ka humbur statusin e subjektit të veçantë.
Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca, është i vetmi nga 15 të pandehurit që nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar gjatë procesit gjyqësor për abuzimin me tenderat për supervizimin e katër komisariateve të policisë. Përmes avokatit të tij, ish-deputeti socialist ka kërkuar të gjykohet me procedurë të zakonshme dhe nga ana tjetër, për të kaluar çështjen në Gjykatën Penale Tiranë, pasi ka humbur statusin e subjektit të veçantë.
Këtë të hënë, seanca gjyqësore u shty për shkaqe procedurale, ndërsa çështja ka kaluar për gjykim në themel. Plarent Ndreca është marrë i pandehur nga SPAK për veprën penale “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”. Hetimet kanë zbuluar se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, dhe disa institucioneve të tjera, 15 prej të cilëve janë të pandehur, kanë bashkëpunuar në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, duke shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet publike.
Kontrata e prokurimit publik “Studimi dhe Projektimi i disa objekteve të Policisë së Shtetit” kishte një vlerë totale prej 54,234,000 lekë (pa TVSH) për katër objekte policore, por në fakt përfundoi duke përfshirë vetëm dy objekte policore me një vlerë të reduktuar prej 34,248,000 lekë
© SYRI.net