Një bandë nga Shqipëria shiste drogë në përmasa të mëdha në Europë. Hetuesit austriakë arritën t’u japin fund veprimeve të 56 personave në Burgenland të Austrisë
Tregtia me substancat narkotike është një biznes miliardash. Dhjetëra miliona euro përfitoi një rrjet i mirëorganizuar i trafikut të drogës, që përbëhej kryesisht nga grupe shqiptare dhe që kishte ngritur një rrjet të dendur shpërndarjeje në të gjithë Europën. Hetimet ndaj kësaj organizate kriminale kishin kohë që kishin nisur. Me kërkesë të autoriteteve sllovake, në verën e vitit 2020 u përfshi edhe Zyra Kriminale e Landit Burgenland dhe nisi operacioni “Vogue”.
Bosi në arrati
Në qendër të hetimeve ishte një grup që transportonte sasi të mëdha marijuane nga Shqipëria, përmes Ballkanit Perëndimor, drejt Austrisë dhe Sllovakisë. Sukseset e para nuk vonuan. U provua se kreu i organizatës, një 41-vjeçar nga Kosova, kishte trafikuar mbi dy tonë marijuanë dhe 14 kilogramë kokainë. “Pas një shkëmbimi zjarri me policinë në vendin e tij, ‘bosi’ ishte në arrati. Në vitin 2023 u arrestua në Belgjikë,” njoftuan hetuesit. Në Austri, organizatori u dënua me 16 vjet burg.
Trafiku i disa kilogramëve kokainë
Faktet e mbledhura çuan në një tjetër operacion me emrin “Donkey”. Në shënjestër ra një tjetër grup i rrjetit të gjerë të drogës, që kryente rregullisht transportime kokainë nga Belgjika drejt Austrisë. “Organizata sllovako-shqiptare kishte ngritur një kompani transporti, të maskuar si tregti makinash, dhe çdo javë kontrabandonte disa kilogramë kokainë nëpërmjet baterive false të makinave,” bëri të ditur Zyra Kriminale e Landit.
Një nga sukseset më të mëdha të policisë ndonjëherë
Hetimet, në bashkëpunim me vendet fqinje dhe Europol, vazhduan deri në fund. Një rol të rëndësishëm luajti Prokuroria e Eisenstadt-it. Rezultatet ishin mbresëlënëse: një rrjet trafiku droge, që vetëm në Austri kishte shitur 272 kilogramë kokainë, 3.6 tonë marijuanë dhe 21 kilogramë heroinë, u shkatërrua plotësisht. 28 nga 48 personat e përfshirë u arrestuan në Austri.
Bosët dhe bashkëpunëtorët e tyre morën dënime nga tre deri në gjashtëmbëdhjetë vjet burg. U sekuestruan pothuajse gjysmë ton marijuanë, katër kilogramë kokainë, tetë kilogramë amfetaminë, rreth 300.000 euro para cash, 16 automjete dhe armë zjarri. Për këtë sukses të madh, ekipi hetimor i Zyrës Kriminale të Landit (EB09) dhe Prokuroria e Eisenstadt-it u shpallën “Hetuesit austriakë të vitit 2025”!
© SYRI.net