‘Shoi’ një fis të tërë/ 5 mln euro pasuri të Aurel Hoxhës dalin në tregun imobilar, ‘Monopoli’ jepet me qira

‘Shoi’ një fis të tërë/ 5 mln euro pasuri të Aurel Hoxhës dalin në tregun imobilar, ‘Monopoli’ jepet me qira

13:04, 23/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas sekuestros preventive nga SPAK, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka nxjerrë në tregun imobilar, pasuritë e Aurel Hoxhës, autorit që dyshohet se ka paguar për të vrarë një fis të tërë nga familja Lleshi në Burrel.

Pas zbardhjes nga Prokuroria e Posaçme të vrasjes së Klevis Lleshit, tashmë pasuritë miliona euro të Aurel Hoxhës kanë dalë në treg për t’u lëshuar me qira.

Vendimi është marrë nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, e cila përmes një njoftimi në platformën sociale facebook, ka publikuar edhe listën me pronat e Aurel Hoxhës që lëshohen me qira.

Njoftimi:

Jepet me qira njësi shërbimi në Tiranë.

[🔹] Kati : 1

[🔹] Sipërfaqe: 388.75 m²

[🔹] Gjendja: E investuar totalisht.

[🔹] Adresa:Rruga Myslym Shyri, Tiranë.

[🔹] Çmimi duke filluar nga: 380,000 Lekë/muaj

[🔴] Pasuria është nën administrim shtetëror.

[🔔] Të gjithë të interesuarit duhet të ndjekin procedurën zyrtare të aplikimit:

1. Shfaqja e interesit bëhet përmes plotësimit të formularit përkatës.

2. Formulari duhet të dorëzohet fizikisht ose me Postë në adresën zyrtare të institucionit.

Linkun për të shkarkuar formularin e aplikimit do ta gjeni në bio të profilit tonë në Instagram.

Prokuroria e Posaçme njoftoi në fillim të tetorit, se kishte sekuestruar pasuri me vlerë rreth 5 milionë euro në pronësi të Aurel Hoxhës, i njohur gjithashtu si Aurelinjo Kalaveri, i shpallur në kërkim për porositjen e vrasjes së Klevis Lleshit pesë vjet më parë si dhe për pastrimin e parave me origjinë nga trafiku i drogës.

Nën sekuestro preventive janë vendosur tre subjekte tregtare që gjenden në rrugën Myslym Shyri në Tiranë – zyra e këmbimit valutor “Monopol sh.p.k.”; kompania e organizimit të eventeve, “Elite Event sh.p.k. dhe personi fizik “Aurelinjo Kalaveri” nën emrin e së cilit ishte regjistruar “Monopol Bar Lounge “.

Po ashtu, janë sekuestruar shtatë apartamente në rrugën “Myslym Shyri” me sipërfaqe totale 939.5 m2; gjashtë njësi me sipërfaqe të përgjithshme 533 m2 në të njëjtën zonë; 32 autovetura, mes të cilave një Lamborghini Urus dhe një Rolls Royce Cullinan; si dhe 52 llogari bankare, në pronësi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të personave nën hetim. Sipas SPAK, vlera totale e pasurive të sekuestruara përllogaritet të jetë afërsisht 5 milionë euro.

Hetimi i Prokurorisë së Posaçme për zbardhjen e vrasjes së Klevis Lleshit në vitin 2020 ka identifikuar si autor të dyshuar Aurelinjo Kavalerin dhe tre persona të tjerë, të cilët akuzohen për “Vrasje me pagesë dhe për gjakmarrje”; përfshirë fshehjen e kufomës; mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit; si dhe për “Pastrim të produkteve të veprës penale” përmes investimeve të dyshimta në Shqipëri dhe jashtë saj.

Po ashtu, hetimet për vrasjen kanë zbuluar pastrimin e parave që kryhej nga grupi i kryesuar nga Aurelinjo Kavaleri. Sipas SPAK, këta persona kanë vepruar në formën e grupit kriminal dhe disa prej anëtarëve dyshohet se kanë mundësuar injektimin e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme në sistemin finaciar shqiptar. Kjo është realizuar përmes investimeve me karakter dyshues, ndërkohë që një pjesë e parave është përdorur për rrëmbimet dhe vrasjet.

Të ardhurat e kundraligjshme dyshohen se janë krijuar nga trafikimi i narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut, drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Këto të dhëna janë siguruar nga autoritetet ligjzbatuese të disa vendeve të Bashkimit Europian, si dhe nga analiza e komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC.

Dy nga të hetuarit u arrestuan më 26 shtator në Tiranë, një u ndalua në Itali. Ndërkohë, Aurel Hoxha alias Aurelinjo Kavaleri është shpallur në kërkim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco