Një ngjarje është regjistruar paraditen e së hënës në qytetin e Kukësit, ku një person ka tentuar të vërë zjarr në ambientet e operatorit të telefonisë celulare ONE, në lagjen "6-Katësh", në qendër të qytetit.
Sipas burimeve, i dyshuari ka hyrë në ambientet e brendshme të zyrës dhe ka spërkatur me një lëndë të dyshuar djegëse. Në momentin e incidentit, brenda ndodheshin punonjës dhe klientë të operatorit, të cilët, të alarmuar, kanë dalë menjëherë jashtë.
Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë dhe shërbimit zjarrfikës, është bërë e mundur parandalimi i përhapjes së zjarrit dhe shmangia e pasojave të rënda materiale apo në njerëz.
Autori i dyshuar është neutralizuar nga forcat e rendit dhe është shoqëruar në komisariat, ku po merret në pyetje për të zbardhur motivet e kësaj tentative të rrezikshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon me mbledhjen e provave, përfshirë sekuestrimin e materialeve të dyshuara dhe verifikimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë. Policia pritet të japë informacion shtesë në vijim, pas përfundimit të hetimeve paraprake.
© SYRI.net