SYRI TV/ Bie niveli i ujit në liqenin e Fierzës - Pranë pikës kritike në kuotën 252 m

15:36, 19/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Liqeni i  Fierzës ka shënuar rënie drastike për shkak të mungesës së reshjeve prej një kohe të gjatë në zonën e Kukësit. Uji ka zbritur në kuotën 252 metra, vetëm disa metra larg kufirit kritik prej 240 metrash.

Syri tv

Kur jemi në mesin e muajit tetor, Kukësi po përjeton një mot të thatë dhe pa reshje i cili ka ndikuar në rënien e nivelit të liqenit të Fierzës. Thatësira e zgjatur ka bërë që niveli i ujit të bjerë pranë “pikës së vdekjes”, që është dhe momenti kur hidrocentralet ndalojnë prodhimin e energjisë elektrike. Sipas matjeve më të fundit, uji ka zbritur në kuotën 252 metra, vetëm disa metra larg kufirit kritik prej 240 metrash. Pika optimale është 271 metra ndërsa kuota maksimale është 296 metra.

Kjo rënie e shpejtë po risjell ngadalë në sipërfaqe edhe rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit.

Copëza muresh dhe struktura betoni kanë filluar të duken në qendër të ish-qytetit të vjetër. Herën e fundit që Kukësi i Vjetër u pa mbi sipërfaqe, ishte në mars të vitit 2022, pas një periudhe të ngjashme thatësire. Ndërkohe që pjesë të mëdha të shtratit të liqenit janë kthyer në një fushë balte. Drini i Bardhë dhe Drini i Zi, që dikur përziheshin nën ujë për të krijuar këtë liqen të madh, janë kthyer në përrenj të cekët. Kafshët e fermerëve enden aty ku dikur kalonin anijet e peshkatarëve të ndërmarrjes së dikurshme të peshkimit dhe trageti i linjës Kukës–Fierzë–Bajram Curri, një kujtim i largët para viteve ’90-te.

Tani, tokat që në nivelin maksimal të liqenit mbulohen nga uji janë bërë kullota. Peizazhi ka ndryshuar përnjëherë, duke krijuar një pamje te pazakonte, një shenjë e qartë e asaj që lë pas mungesa e reshjeve dhe ndryshimet klimatike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco