Avokati Jordan Daci ka reaguar pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami, i cili kërcënoi prokurorin në seancë gjyqsore.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Daci ka thënë se arrestimi i avokatit është një rrezik për lirinë, të drejtat themelore të njeriut dhe dhënien e drejtësisë në vend.
Sipas Dacit ky nuk është vetem një rast individual, por një përçarje mes akuzës dhe mbrojtjes.
LEXO EDHE: Akuzohet se kërcënoi prokurorin, arrestohet avokati! Po mbronte çështjen e Maksim Likës në Elbasan
Daci ka thënë se avokatia shqiptare duhet të reagojë me unitet dhe vendosmëri. Ai ka shtuar se të gjithë avokatët, pa përjashtim, duhet të bëhen pjesë e një bojkoti të përgjithshëm, pa afat deri në rivendosjen e drejtësisë dhe lirimit të menjëhershëm të kolegut të tyre.
Në fund ai ka shtuar se mbrojtja e avokatisë është mbrojtje e shtetit të së drejtës, e lirisë dhe e drejtësisë për të gjithë.
Për çfarë bëhet fjalë ?
Më datë 17.10.2025, është zhvilluar seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Maksim Suçi etj., seancë e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, nga gjyqtarja Megi Strakosha, ku akuza përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka.
Avokati mbrojtës i shtetasit Maksim Suçi, avokat Ulian Barjami, pasi konstatoi provën me video të parashtruar në seancë, ku klienti i tij nuk shfaqej aspak duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, deklaroi se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash ndaj prokurorit, pasi procesverbali me shkrim i sjellë nga prokurori në gjykim përshkruante një situatë ku klienti i avokatit Barjami kishte ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë.
Prokurori Ceka, i irrituar nga ky deklarim, replikoi me avokatin Barjami duke i thënë: “Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh!”, dhe ndërkohë, i nervozuar, kthente kokën nga punonjësit e policisë prezentë në sallën e gjyqit.
Avokati Barjami replikoi duke deklaruar: “Do të bëj kallëzim, se ke shkelur ligjin.”
Për këto deklarime ndërhyri gjyqtarja Strakosha, e cila i sqaroi avokatit Barjami se duhet të shmangte këtë diskutim dhe të fokusohej në interpretimin e provës në atë moment, pa u marrë me atë se çfarë do të bënte në vijim.
Seanca vijoi e qetë dhe përfundoi normalisht, pa asnjë debat apo diskutim mes palëve.
Prokurori Ceka nuk e la me kaq dhe, me sa duket, ka paraqitur kallëzim ndaj avokatit, me qëllimin në vetvete për ta arrestuar, ashtu siç deklaroi në seancë.
Mbi bazën e këtij kallëzimi, avokati Barjami është thirrur sot, më datë 18.10.2025, në orët e paradites nga oficerë të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, duke i thënë në telefon fillimisht se duhej të jepte vetëm disa sqarime.
Pas shumë orësh i mbajtur në komisariat, në orët e pasdites, rreth 15:00 – 15:30, punonjësja e policisë Zmeralda Mehilli ndalon me iniciativë avokatin Barjami si të dyshuar për veprat penale:
• "Kanosja për shkak të detyrës",
• "Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit", dhe
• "Kanosja e gjyqtarit",
pasi, sipas saj, ka kërcënuar prokurorin e çështjes, Gjergji Ceka, dhe oficerët e policisë gjyqësore që kanë kryer veprime hetimore. Procesverbali është shkruar dhe nënshkruar nga OPGj-ja Mehilli, sikur është kryer shumë kohë më pas, në orën 17:40, ndërkohë që ndalimi realisht është kryer në orën 15:00.
© SYRI.net