‘Do më vrisnin dy shqiptarë’/ Të gjitha kërcënimet me të cilat është përballur Sigfrido Ranucci

‘Do më vrisnin dy shqiptarë’/ Të gjitha kërcënimet me të cilat është përballur Sigfrido Ranucci

12:02, 17/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

LA REPUBBLICA

Nën mbrojtje që nga 2021, por nën kujdes që nga viti 2009: përpara bombës së natës së kaluar, Sigfrido Ranucci, prezantues i programit televiziv Report (Rai3), ka qenë objekt i shumë kërcënimeve gjatë viteve, dhe që prej kohësh i është caktuar një program mbrojtjeje.

Mbrojtja erdhi kur u interceptua plani i një trafikanti droge, në kontakt me ‘Ndranghetan, për ta vrarë. Por që nga viti 2009 ai kishte një formë të mbrojtjes.

“Isha nën mbrojtje që nga viti 2009 sepse familja Ercolano kishte kërkuar nga një person i rrezikshëm që të më mbikëqyrte. Kisha realizuar një hetim në Sicili për një minierë që e menaxhonte klani katanez”, tregoi vetë ai në maj të vitit kaluar për revistën mujore ‘Noi antimafia’.

Niveli i alarmit u rrit në vitin 2021: “Që nga mesi i gushtit jam nën mbrojtje 24 orë në 24. Një tip nga burgu ka punësuar dy vrasës të huaj. Ai është një person që menaxhon trafikun e drogës, i lidhur me familje të ‘Ndranghetas. Ai ishte gjithashtu i lidhur me të djathtën ekstreme dhe me kartelin kolumbian të Pablo Escobar, i cili kishte ngarkuar dy vrasës shqiptarë për të më qëlluar”, tha Ranucci për ‘Noi Antimafia’ në maj.

“Ai nuk kishte pritur mirë një investigim timin mbi marrëdhëniet midis politikës dhe krimit të organizuar. U interceptua në burgun e Padovës. Porositësi është ende në burg, por nuk është hapur asnjë proces penal sepse vrasësit nuk janë identifikuar. Dihet megjithatë se ata gravitojnë rreth grupit që vrau Fabrizio Piscitellin (bosin e njohur si Diabolik, shënim i redaktorit). Kujtoj se një tjetër trafikant i atij rrethi, Selavdi Shehaj, u vra pak hapa larg shtëpisë sime, në plazhin e Torvaianicës”.

Edhe në vitin 2010 “një përfaqësues i Santapaola-s donte të më vriste”, tregoi Ranucci, “por vrasja u ndalua nga Matteo Messina Denaro, sepse nuk donte të tërhiqte vëmendjen e hetuesve”.

Në nëntor të vitit 2024, vetë Ranucci kishte shkruar në faqen e tij në Facebook se redaksisë së Report i kishin ardhur “kërcënime të tmerrshme” pas “raportimit mbi konfliktin Izrael-Palestinë të realizuar nga Giorgio Mottola”.

Prezantuesi kujtoi se kishte marrë kërcënime të ndryshme edhe kohët e fundit, duke filluar nga gjetja e dy plumbave P38 jashtë shtëpisë deri tek ndjekja nga persona të identifikuar nga eskorta e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco