Presidenti i Shoqatës Europiane të Gjyqtarëve (European Association of Judges-EAJ), Mikael Sjoberg, i është drejtuar me një letër zyrtare Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë (UAJ), pas lajmit tragjik për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.
Në letrën e dërguar më 7 tetor 2025, Sjoberg shpreh dëshpërimin dhe keqardhjen e thellë të Bordit të EAJ për ngjarjen, duke e cilësuar incidentin ‘tragjik’ dhe duke ofruar mbështetjen e plotë të organizatës europiane.
‘Sipas lajmeve, kemi mësuar se një gjyqtar shqiptar është vrarë gjatë detyrës. Në emër të Bordit të EAJ, dëshiroj të shpreh keqardhjen dhe shqetësimin tonë për këtë ngjarje tragjike,’ shkruan presidenti Sjoberg.
Kreu i Shoqatës Europiane të Gjyqtarëve i kërkon gjithashtu Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë të informojë më gjerësisht mbi rrethanat e ngjarjes dhe thekson se EAJ është e gatshme të ofrojë ndihmë dhe solidaritet institucional ndaj kolegëve shqiptarë.
Letra mbyllet me fjalët:
‘Do të dëshironim të dinim çfarë ndodhi dhe nëse EAJ mund të jetë në ndonjë mënyrë e dobishme. Ju falënderoj për vëmendjen.’
Ky reagim i ardhur nga organizata më e lartë europiane e gjyqtarëve, është bërë si shenjë solidariteti ndërkombëtar ndaj sistemit gjyqësor shqiptar dhe një thirrje për sigurinë e magjistratëve në ushtrimin e detyrës.
© SYRI.net