Shoqërohet në polici xhaxhai i autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Në një video Gjovalin Shkambi kërcënon me vrasje çdo gjyqtar që do e dënonte nipin e tij, Elvis Shkambi.
Videoja bëri xhiron e rrjetit.
Çfarë deklaroi Gjovalin Shkambi?
“Ai gjyqtar që dënon nipin tim do të përballet me të njëjtën gjë, do të përballet me plumba, ka të njëjtin shpërblim. Ka 13 vjet që i shkojmë kryeministrit e gjithë qeverisë, na jepni pronën se ua kemi blerë. Provat i dhamë. Ose të na çojnë në burg, nëse e kemi privatizuar gabimisht. Familjes së ndjerit gjyqtar i ulem në gjunjë dhe i kërkoj hallallin me kishë e xhami.
Por ai që dënon atë djalë, ai gjykohet sikur është gjykuar Astriti. Kemi blerë pronën me ligj me rregulla, jemi me borxh. Kush dënon atë djalë të njëjtën gjë ka, në qoftë edhe Donald Trump edhe Papa, s’ka lojë me ne më. Ne i kemi fituar të gjitha gjyqet, i kemi me certifikatë, të hetojë shteti, se ka 13 vjet që i shkruaj Edi Ramës, liromë pronën. Dhe s’ka lojë më me ne"
Elvis Shkambi u arrestua dje pasi qëlloi në sallën e gjyqit gjyqtarin Astrit Kalaja.
Si ndodhi vrasja
Në orën 13:42, të 6 tetorit në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi Banush K, me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.
Të dy këta shtetas, Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi , qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja shpalli vendimin, shtetasi Elvis Shkambi, që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Autori plagosi dhe babe e bir të familjes me të cilin ishin në konflikt gjyqësor.
© SYRI.net