Detaje tronditëse janë zbuluar lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi pasditen e së martës në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën dy qytetarë të tjerë, palë në një proces gjyqësor nën gjykimin e Kalasë.
Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se autori i krimit, 30-vjeçari Elvis Shkëmbi, ishte palë në një proces gjyqësor për një çështje pronësie, seanca e të cilit kishte nisur në orën 14:00. Gjatë shqyrtimit të çështjes, gjithçka kishte vijuar normalisht deri në momentin e dhënies së vendimit nga gjyqtari Kalaja, i cili ka vendosur në favor të palës kundërshtare të Shkëmbit, dy personat që u plagosën, babë e bir.
Pas përfundimit të seancës dhe daljes nga salla, në korridorin e gjykatës, Shkëmbi ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka qëlluar në drejtim të gjyqtarit Kalaja, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ai ka qëlluar gjithashtu edhe në drejtim të palës kundërshtare, duke i plagosur të dy.
Pas krimit, autori nuk ka tentuar të largohet. Ai i ka dorëzuar armën rojës së sigurisë së gjykatës dhe më pas ka qëndruar në oborrin e institucionit, ku është ndaluar pa rezistencë nga patrulla e policisë që ndodhej jashtë godinës.
Ndaj tij tashmë rëndojnë akuza të rënda për vrasje dhe plagosje me dashje, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e ngjarjes që ka tronditur sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik në vend.
© SYRI.net