Historia e Italianit Longinoti, që nuk është Lanseloti

Historia e Italianit Longinoti, që nuk është Lanseloti

12:11, 01/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në  skenën e mediave të mbetura të Erion Veliajt doli një deklaratë (madje edhe e noterizuar) e italianit Gabriele Longinoti, që na akuzon për “blerje” të dëshmive, që dha për ne në dy intervista të njëpasnjëshme në vitin 2023.

Ne nuk kemi në mend të merremi gjatë me të si individ.

Nuk presim që Longinoti të jetë Lanseloti, kalorësi i drejtësisë. Prandaj edhe lugën e çorbës që hëngri para pak ditësh, ia falim. Çdokush ka të drejtë të zgjedhë rrugën e vet, edhe kur ajo rrugë është e pamoralshme.

Nuk presim as që avokatët mediatikë të Lalit të heqin dorë nga mbrojtja e pafund të klientit të tyre. Ata thjesht përpiqen t’ia faturojnë historinë e Nesti Angonit opozitës, duke u përpjekur të na vizatojnë edhe ne si pjesë të saj. Po, ne jemi në opozitë po, por jo në atë politike. Çdo emision investigativ që mbron interesin publik është përballë pushtetit, kudo që ai ndodhet.

Kushdo që e di se si funksionon produksioni i “Piranjave” e ka të qartë, që ne jemi një emision pa asnjë varësi editoriale, që kemi bërë një marrëveshje të rinovueshme çdo vit me Syri TV. Kjo marrëveshje mund të ishte me secilin nga televizionet kombëtare ose lokale në Shqipëri, që do të na plotësonte kushtin e vetëm që ne kemi: PAVARËSINË EDITORIALE.

Tani, në respekt të publikut që na ndjek prej më shumë se 3 vitesh në punën tonë, duam të sqarojmë shkurt, se Gabriele Longinoti, ka qenë një person tërësisht i panjohur për ne, deri në momentin kur juristi Ylli Pashuku, e prezantoi me drejtuesit tanë (lidhur me këtë, përveç dëshmisë së Pashukut, janë në dispozicion chat-e dhe biseda).

Pasi kemi dëgjuar pretendimet e tij, kemi vendosur që ta intervistojmë, sepse deklaratat e bëra nga ai kanë interes të madh publik. Në asnjë rast gjatë dy intervistave, nuk jemi përfshirë në komente, apo konkluzione lidhur me akuzat që ai bën. Kemi treguar korrektesë pas çdo fraze që ai ka deklaruar.

Ai madje kërkoi dhe të intervistohej nga SPAK-u, duke deklaruar se i priste hetuesit në Dubai ose kudo tjetër për t’u thënë versionin e tij të historisë, ata që e tregoi përmes kamerave tona publikisht.

Ndërkohë, që pak ditë më vonë, Erion Veliaj bëri kallëzim ndaj producentit të "Piranjave" dhe ndaj gazetarit Bledian Koka. Procesi gjyqësor me Veliaj u pushua dhe historia e akuzave të tij u mbyll, sepse as përfaqësuesit e tij e as ai vetë nuk u paraqitën në sallën e gjyqit, pavarësisht ngulmimit të gjykatës.

Tani, pas dy vitesh, Longinoti paska ndërruar version. Gjithçka që ka thënë paskan qenë gënjeshtra dhe për këtë i qenkan ofruar para. Sigurisht nuk ka as prova e asgjë që ta vërtetojë.

Po a mund pyesim edhe ne ndryshe? A mund të themi sot, në ditën më të zezë të Veliajt se italianit i është ofruar “kompromis me kompensim” për të ndryshuar versioni dhe për t'i dhënë oksigjen politik Ish-kryetarit?

Këtë nuk e themi ne, do ta thotë gjykata. Ne jemi të gatshëm të përballemi, jo vetëm me Longinotin, por edhe me ata që e kanë takuar këto ditë për të marrë atë që iu duhej.

Sa për hallin e mediave të mbetura besnike të Veliajt, halli i tyre nuk është as problemi jonë e as i publikut. Lali i tyre do të qëndrojë aty ku është, pavarësisht çdo përpëlitjeje publike.

Ne e dimë dhe jemi të bindur se shumë socialistë që na lexojnë, në heshtje janë dakord me këto radhë. Vetëm se nuk e thonë dot hapur.

Në këtë foto/screenshot, një komunikim i kohës kur Longinoti që sot flet për “blerje”, para disa kohësh na lutej t’ia merrnim dëshminë, dhe ankohej se mediat shqiptare nuk e lejojnë të flasë dhe se do të “luftojë për drejtësi.” Por e vërteta është se kur drejtësia blihet, ajo pushon së qeni drejtësi dhe kthehet thjesht në një pazar Longinotësh./Piranjat

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco